Kardiologjia mbushet plot, pacientët në radhë
Fluks të sëmurësh në shërbimin e “zemrës”, virozat e stinës krijojnë “trafik” shtrimesh në pavijon
Ashtu siç ishte parashikuar, fundi i muajit janar do të shënonte edhe fluksin e dytë të qarkullimit të infeksioneve, për më shumë, mbushjen e pavijoneve plot me të sëmurë. Kështu ka ndodhur këto ditë me shërbimin e kardiologjisë. Urgjenca, por edhe pavijoni janë të mbushura plot me pacientë me probleme, të cilët kanë nevojë për të qëndruar nën vëzhgimin e mjekëve, për të marrë mjekim, apo të cilët qëndrojnë në radhë në pritje për të kryer ndërhyrje kirurgjikale. Në këto ditë të fundit të muajit janar, mjekët dhe punonjësit e shërbimit ku trajtohen sëmundjet e zemrës janë përballur me një numër të lartë pacientësh, të cilët vijnë për t’u vizituar në urgjencë apo shtrohen për shkak të gjendjes së rënduar. Në të gjithë këtë situatë, kur vendet gjenden vetëm me “mik”, ajo që mund të bëjë struktura drejtuese e qendrës spitalore është vetëm një dhe e përvitshme: Përparësi për trajtimin e rasteve më emergjente. Kjo do të thotë që në shërbimin e urgjencës do të marrin në fillim kujdes shëndetësor rastet më të rënda, të cilët nuk kanë luksin për të pritur në radhë, apo gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e rënduar.
Administrimi
Shumica e pacientëve kardiakë kronikë, moshat e treta, por edhe pacientët me viroza të stinës, po mblidhen të gjithë bashkë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.Bashkë me ta fluksin e të sëmurëve e shtojnë edhe pacientët e ardhur nga rrethet, që për një shqetësim apo problem të vogël shëndetësor i drejtohen menjëherë spitalit universitar.Sigurisht, që fluksi i madh i pacientëve nuk ndalet këtu, të gjithë këta të sëmurë janë të shoqëruar nga të afërm, miq apo shokë, të cilët duan t’i qëndrojnë pranë.
Të ndodhur në këto kushte, ku kapaciteti i pavijonit është më i ulët se numri i banorëve që ka Tirana, shtuar këtu edhe të sëmurët e ardhur nga rrethet, shpeshherë shërbimi i kardiologjisë ka kërkuar ndihmë për gjetjen e zgjidhjeve alternative. Nga ana tjetër, drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka dërguar udhëzimin që në këtë shërbim të pranohen dhe të trajtohen me përparësi vetëm rastet e urgjencës, pacientët në gjendje të rënduar shëndetësore.
Pacientët
çdo ditë, në urgjencën e kardiologjisë në QSUT marrin trajtim mbi 150 raste brenda 24 orëve. Po ashtu, fluks pacientësh me viroza, por edhe probleme të gripit stinor paraqiten çdo ditë në shërbimin e infektivit, si edhe në urgjencën e pediatrisë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, pacientët e prekur nga viroza e stinës, gripi sezonal, do të jenë të konsiderueshëm duke nisur nga fundi i muajit janar. Piku i të infektuarve do të jetë në muajin shkurt. Pacientët kronikë, si ata kardiakë, mosha e tretë, apo të sëmurët që vuajnë nga luhatjet e tensionit duhet të jenë kategoritë që të shfaqin më tepër kujdes se çdo kush tjetër, në këto ditë të ftohta dimri, ku temperaturat janë ulur ndjeshëm.
#