Konflikti mes adoleshentëve, përplasen me thika familjarët
Tiranë
Sherri mes dy adoleshentëve ka futur në konflikt familjarët e tyre, të cilët janë përleshur me njëri-tjetrin. Sherri me thika ka përfunduar me dy persona të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi dje në Farkë të Tiranës, kur dy nxënës të shkollës së mesme janë zënë. Konflikti i tyre është mësuar nga prindërit, të cilët kanë shkuar në shkollë për t’u sqaruar. Mirëpo sqarimi konsensual duket se nuk është pranuar tërthorazi nga palët, të cilët kanë vazhduar sërish sherrin edhe në lagje. Kështu, dy vëllezërit e njërit prej gjimnazistëve kanë nisur një debat me kushërinjtë e gjimnazistit tjetër kundërshtar. Pas fjalëve të ndërsjella, dy vëllezërit Nazis dhe Blerim Toçiu kanë goditur me thikë dy të rinjtë kushërinj, Gentian Krasniqi dhe Adnor Mustafa. Dy të plagosurit u transportuan menjëherë në spital ku pas ndërhyrjes mjekësore e kaluan rrezikun për jetën. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke vënë në pranga dy vëllezërit, ku njëri prej tyre, pikërisht Blerim Toçiu, u la i lirë disa orë më pas për t’u hetuar në gjendje të lirë.
#