E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxh 24 milionë euro për mbikalimin e Durrësit

Kredia

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dje paradite marrëveshjen e huasë prej 24 milionë eurosh, akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Ndërtimi i rrugës së mbikalimit të Durrësit”. Projekti është i ndarë në dy faza dhe përfshin mbikalimin e Shkozetit. Kredia ka afat shlyerje 25 vjet, me interes 2 për qind. Gjatë miratimit në komision nuk pati debate për shkak të mungesës së opozitës. Për herë të parë marrëveshja është miratuar nga qeveria më 2 tetor 2009, ndërsa Komisionit parlamentar të Ekonomisë i nevojitej shqyrtimi i termave të kredisë. “I rëndësishëm është fakti i fillimit të punimeve në të njëjtën kohë si për trasenë e trupit të rrugës së mbikalimit të Durrësit, ashtu edhe të mbikalimit të Shkozetit e të kolektorit të ujërave, për të bërë të mundur përditësimin e trupit të rrugës me mbikalimin në zonën e Shkozetit (lagje industriale e Durrësit)”, tha drejtori i Borxhit në Ministri të Financave. Komisioni miratoi një tjetër projektligj që lidhej me sektorin e shitblerjes së aksioneve në bursë dhe mbrojtjen e minorancës në shoqëri.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›