Serbia të njohë diplomat shqiptare
Drafti i marrëveshjes së bashkëpunimit në këtë fushë qëndron në Ministrinë serbe të Arsimit
Serbia të njohë diplomat shqiptare dhe anasjelltas. është kjo përmbajtja e draftit të një marrëveshjeje që i është dërguar qeverisë serbe që në fund të vitit 2009 nga ana e Ministrisë shqiptare të Arsimit.
Interesi për njohjen reciproke të diplomave të lëshuara në të dyja vendet është përsëritur edhe nga kreu i Arsimit shqiptar, Myqerem Tafaj, në një takim që ka zhvilluar me homologun e tij serb, Zarko Obradovic. Tafaj ka marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë “Kompetencat e ndërthurura të mësuesve në shoqëritë e ndryshme demokratike – një vështrim krahasues i zhvillimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të ministrit të Arsimit të Serbisë, Zarko Obradovic. Në këtë takim, ministri Tafaj theksoi se arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të gjenden hapësira të mjaftueshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit bilateral. Në qëndrimin zyrtar të MASH-it thuhet se ministri Tafaj shprehu interesin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare për njohjen reciproke të diplomave, drafti i ri i së cilës i është dorëzuar palës serbe në fund të vitit 2009.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur se ministri serb i Arsimit, Obradovic, pasi ka bërë një prezantim të shkurtër të zhvillimeve në sistemin arsimor serb, ka shprehur edhe ai gatishmërinë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e arsimit.
Në rast se kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga të dyja palët, prej saj pritet të përfitojnë edhe të gjithë ata shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, të cilët janë diplomuar në universitetet e Republikës së Shqipërisë. Numri i tyre rritet vit pas viti. Kjo edhe për faktin se çdo vit Ministria jonë e Arsimit në kuotat e përgjithshme të pranimit të studentëve të rinj në universitetet publike rezervon një numër të veçantë për shqiptarët jashtë kufijve të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë punimeve të konferencës të organizuar në Beograd, ministri Tafaj në fjalën përshëndetëse u shpreh se “bashkëpunimi i ngushtë rajonal në fushën e arsimit është një ndër rrugët më të sigurta, sepse, në fund të fundit, afron të rinjtë, nxënësit dhe studentët, gjeneratat që janë bartëse të së ardhmes së vendeve tona”. Ai cilësoi faktin se rajonit të Ballkanit të sotëm i duhet, më shumë së kurrë, bashkëpunimi i ngushtë sidomos në fushën e arsimit dhe shkencës dhe kjo është garancia më e mirë.
Më tej, konferenca krijoi mundësi për të diskutuar lidhur me kompetencat, aftësitë, qëndrimet dhe vlerat e mësuesve, me qëllim që të kontribuohet në ndërtimin e shoqërive demokratike, por vëmendja kryesore u përqendrua në kompetencat transversale të mësuesve.
Konferenca e Ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte si qëllim, të jepte një kontribut të drejtpërdrejtë rajonal në njërën nga temat kryesore të Sesionit të 23-të të Konferencës së Ministrave të Arsimit të Këshillit të Europës, që do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë, më 4-5 qershor 2010, e që do t’u kushtohet politikave të edukimit të mësuesve.
#