E Shtunë, 31 Tetor 2026

AVA grumbullon mësuesit për hartimin e tezave

29/04/2009  Drejtoritë arsimore listojnë ambientet ku do zhvillohet provimi

Pas vlerësimit të testeve do bëhet identifikimi i pikëve me identitetin e nxënësit

Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) nis punën për hartimin e pyetjeve të që do të përmbajë teza e provimeve të lirimit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Tashmë është përzgjedhur dhe fondi i pyetjeve konkrete, nga do të merren pyetjet finale të testit, i cili do të jetë i kombinuar ndërmjet pyetjeve me zhvillim dhe atyre me alternativa. Ky kombinim do të jetë i njëjtë si për lëndën e Matematikës, ashtu dhe për Gjuhën e Leximin letrar. Nxënësit do t’i nënshtrohen një teze unike për të gjitha shkollat e vendit. Konkretisht teza e provimit do të përmbajë 20 pyetje, që do të jenë të kombinuara me zhvillim ose me alternativa. Risia e këtij viti është se vlerësimi i njohurive të nxënësve nuk do të jetë bëhet më nga mësuesit e shkollës së tyre, por nga mësues të jashtëm, që do të përzgjidhen nga të gjitha shkollat e arsimit nëntëvjeçar të rretheve përkatëse. Kreu i AVA-s, ka pohuar dje se “ka nisur puna edhe për grumbullimin e fondit të pyetjeve, për të cilat po punojnë rreth 20 mësues". Aktualisht po përcaktohen nga drejtoritë arsimore dhe ambientet në të cilat nxënësit do të paraqiten për të dhënë provimin në datën e përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Pas rishikimit të kritereve përkatëse mbi caktimin e ambienteve të provimit, drejtoritë arsimore duhet të listojnë në vende të dukshme të gjitha sallat dhe klasat e përzgjedhura brenda datës 20 maj 2009. Bazuar në rregulloren e provimeve të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është vendosur që të cilësohet si vend i përshtatshëm për të dhënë provimin çdo klasë apo sallë që respekton parimin e distancës ndërmjet nxënësve. Ambienti i përzgjedhur duhet të plotësojë kushtin që të jetë i mjaftueshëm për rreth 15 nxënës, largësia ndërmjet tyre nuk duhet të jetë më e vogël sesa 120 cm, çka do të shmangë tentativat e kopjimit apo të rasteve të tjera problematike që mund të shfaqen ditën e provimit. Në rast se këto rregulla thyhen, atëherë nxënësi do të penalizohet me skualifikim nga provimi. Njëkohësisht është vendosur që mbyllja e vitit shkollor të bëhet më datën 5 qershor për të gjithë nxënësit e klasave të 9-a. Këta të fundit do të testohen për njohuritë e tyre në dy lëndët bazë: Gjuhë dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë më 20 qershor 2009. Për kandidatët që do të vlerësohen negativisht në fazën e parë, janë caktuar dhe datat e ridhënies së provimeve në vjeshtë përkatësisht nga 1 deri në 5 shtator për secilën nga lëndët. Ndryshe nga provimet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara, për 2009-n është përcaktuar që testimi i lirimit të jetë i ngjashëm me modelin e maturës shtetërore, çka do të thotë se dhe vlerësimi i testeve do të bëhet nëpërmjet grupeve të caktuara të mësuesve më me eksperiencë. Këta të fundit do të mblidhen në ambientet e drejtorisë arsimore për të korrigjuar testet, të cilat do të jenë të mbyllura. Konkretisht këta të fundit nuk do të pajisen me barkode, por do të sekretohen – në fletën e sekretimit do të vendoset një numër i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pas korrigjimit të testit. Pas caktimit të vlerësimit do të bëhet dhe identifikimi i pikëve përkatëse me emrin e nxënësit dhe rezultatet më pas do të dërgohen në shkolla për t’u publikuar.

Vlerësimi

Vlerësimi i tezave të provimit do të bëhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës, përzgjedhje që do të bëhet nga drejtoria arsimore. Pas përfundimit të vlerësimeve do të hapen numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë dhe secila drejtori në bazë të listave emërore identifikon rezultatet me emrat e nxënësve.

Tezat e provimeve

Nxënësit do t’i nënshtrohen një teze unike në të gjitha shkollat e vendit. Konkretisht teza e provimit do të përmbajë 20 pyetje, që do të jenë të kombinuara me zhvillim ose me alternativa. Risia e këtij viti është se vlerësimi i njohurive të nxënësve nuk do të jetë bëhet më nga mësuesit e shkollës së tyre, por nga mësues të jashtëm, që do të përzgjidhen nga të gjitha shkollat e arsimit nëntëvjeçar të rretheve përkatëse.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›