E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha diskuton çështjen në bazë të traktatit të miqësisë”

29/04/2009  Qeveria shqiptare hedh poshtë mungesën e diskutimit mbi çështjen çame

Edi Rama akuzohet për manipulim të medieve

Qeveria shqiptare deklaron se gjatë takimit të dy ditëve më parë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij grek është diskutuar edhe në lidhje me çështjen e komunitetit çam dhe të drejtat e tyre. Këshilli i Ministrave në një njoftim të shkurtër për shtyp thekson se gjatë takimit mes krerëve të dy qeverive nga ana e shefit të ekzekutivit shqiptar është prekur kjo çështje në përputhje me përcaktimet e traktatit të miqësisë mes dy vendeve. “Kryeministri Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë e ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë”, - thuhet në deklaruarën e publikuan në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave. Madje, për qeverinë shqiptare mediet që kanë publikuar dhe kanë theksuar të kundërtën janë të kontrolluara nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Sipas deklaratës së qeverisë, qëndrimet e mbajtura ishin të nxitura nga kryesocialisti Rama. “Medie të kontrolluara nga Edi Rama dhe nën diktatin e tij kanë shpifur dhe trilluar lidhur me vizitën e kryeministrit të Greqisë Kostas Karamanlis se Kryeministri Berisha nuk paska diskutuar problemin e pronave të çamëve”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Por në njoftimet e publikuara në faqen e qeverisë në internet nuk është shkruar asgjë në lidhje me këtë bisedë dhe ku të jetë prekur çështja çame. Ndërkohë në komunikimin që krerët e dy qeverive patën me mediet, si Berisha, ashtu dhe Karamanlis nuk e përmendën këtë çështje. Krerët e dy qeverive mund të detyroheshin të preknin këtë çështje vetëm nëse do të pyeteshin nga gazetarët. Por përfaqësuesit e medieve të akredituar në Kryeministri nuk kishin të drejtë t’u drejtonin pyetje dy kryeministrave.

Vangjel Dule: Çështja çame nuk ekziston

Kryetari i partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule, ka deklaruar se çështja çame nuk ekziston. Drejtuesi i partisë që pretendon se mbron të drejtat e njeriut në Shqipëri, por qartësisht mbështetet nga minoriteti grek, thekson se mosekzistenca e çështjes çame u konfirmua nga qëndrimi i Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Greqisë gjatë takimit të dy ditëve më parë. Sipas tij, nuk mund të bëhet asnjë paralele mes minoritetit grek në vendin tonë dhe komunitetit çam. “Nuk ka objektivisht asnjë çështje barazimi midis një çështjeje të qenë dhe të një tjetre të paqenë. Të drejtat e minoritetit etnik grek nuk janë vetëm një preokupim i Greqisë. Nuk mund të quhet e hapur apo e mbyllur një çështje që nuk ekziston”, - deklaroi Dule. Ndërkohë kreu i shoqatës së minoritarëve grekë Vasil Bollano gjatë një interviste televizive ka hedhur poshtë zërat se ai ishte përpjekur për të penguar kryeministrin grek Kostas Karamanlis të vizitojë Shqipërinë me pretekstin e zgjidhjes së çështjes së minoritetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›