E Diel, 1 Nëntor 2026

Plaku e plaka shpërndanin kokainëAntidroga i kap në flagrancë

29/04/2009  Në pranga çifti Kadriaj 67 e 62 vjeç

TIRANE- Trafiku dhe shitja e lëndëve narkotike duket se në Shqipëri nuk po njeh moshë, pasi dje dy shtetas të moshuar janë arrestuar nga policia e kryeqytetin nën akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së drogës”. Policia e Tiranës tha se të ndaluarit janë shtetasit Kadri Kadriaj 67 vjeç dhe Fiqerete Kadriaj 62 vjeç që të dy burrë e grua. Dyshohet se në bashkëpunim këta persona janë trafikantë të drogave të forta në zona të ndryshme të kryeqytetit. Burime zyrtare nga seksioni kundër drogës, thanë se kanë mundur të identifikojnë, në sajë të posedimit të informacioneve operative dy të moshuarit, që trafikonin lëndën narkotike të llojit kokainë. Mësohet se për rreth 2 muaj, burrë e grua ata kryenin tregtinë e kokainës në kryeqytet. Falë aftësive të tyre dhe sigurisë që paraqitnin në shkëmbimin e mallit, ata kishin mundur të thithnin një sërë personash tepër të njohur në jetën publike. Mirëpo aktiviteti i tyre kishte rënë në sy të agjentëve të antidrogës, të cilët pas një sërë ndjekjesh operative kanë mundur të mbledhin të dhëna të sakta që provojnë autorësinë e veprimeve kriminale të kryera nga dy të moshuarit me origjinë nga Kukësi. Burimet thanë se gjatë kohës që janë mbajtur nën vëzhgim është dyshuar se dy të moshuarit mund të jenë detyruar për të shitur kokainë nga djali i tyre, por aktualisht kjo gjë nuk është provuar. Megjithëse nuk ka prova konkrete agjentët e antidrogës vazhdojnë të dyshojnë se aktivitetin e tyre kriminal të ndaluarit e kryenin si pasojë e ndonjë presioni të mundshëm. Mirëpo të pyetur lidhur me këtë pistë burrë e grua ata kanë deklaruar se çdo e gjë e bënin me vetëdije të plotë dhe se nuk ishin ndikuar nga asnjë person tjetër i familjes. Ndërkohë pas arrestimit të tyre policia kreu edhe një kontroll të imtësishëm në banesë. Gjatë këtij procesi u konstatua sasia prej 5.5 gramë, drogë e fortë, e llojit kokainë, e cila ishte e ndarë në 6 copë porcione. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 5.5 gramë lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, dy aparate telefoni celularë, si dhe shuma parave prej 212 500 lekësh. Lidhur me këtë çështje aktualisht të gjitha veprimet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, e cila do të zbardhë plotësisht skemën e aktivitetit kriminal të ushtruar nga dy bashkëshortët Kadri dhe Fiqerete Kadriaj.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›