Bojkot mësimit: Mësuesja na vë nota të ulëta
KORçE -Mësuesja e Filozofisë i vlerëson me nota të ulëta ose jokaluese, gjashtë klasa të gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në Korçë bojkotojnë mësimin. Gjimnazistët kanë ankesa se mësuesja e tyre Violeta Tici i vlerëson ata negativisht, duke iu rrezikuar kështu mesataren për shkollën e lartë. Dje ata kryen një protestë duke lënë orët e mësimit, si dhe kërkuan që të rishikohet qëndrimi në vlerësimin me nota të mësueses së lëndës së Filozofisë dhe Sociologjisë. Janë kryesisht maturantët e kësaj shkolle, të cilët pretendojnë se nuk arrijnë të kuptohen me mësuesen e tyre. “Ajo jep vlerësime negative për thuajse të gjithë nxënësit”, u shprehën ata. Por ndërkohë, ata nuk kanë ankesa për mësimdhënien dhe profesionalizmin e saj. Ndërkaq, edhe nxënës të vitit të dytë në këtë shkollë, ankohen se janë vlerësuar me nota negative. “Mësuesja e lëndës së Filozofisë dhe Sociologjisë na vlerëson me notën katër, duke na vënë nën presion psikologjik të vazhdueshëm me qëndrimin e saj” - u shpreh përfaqësuesi i senatit të nxënësve në këtë shkollë të mesme. Drejtori Vladimir Prifti pranoi që nxënësit kanë të drejtë në protestën e tyre, pasi sipas tij marrëdhëniet me mësuesen janë futur prej kohësh në kontraditë. Nga ana tjetër, Prifti mbështeti edhe mësuesen Tici në profesionalizmin e saj për dhënien e mësimit. Ai nuk arrin të sqarojë arsyen se pse vlerësohen me nota negative një numër kaq i madh nxënësish. Nga ana e saj, mësuesja Tici u shpreh se metoda e mësimdhënies prej saj është e rregullt por, për shkak të lëndës së vështirë nxënësit nuk kanë rezultate të mira. Sipas saj, ajo ka dhënë vlerësime reale për nivelin e përgatitjes së nxënësve në lëndën e saj. g.aVerifikimi i metodikës Nisur nga konfliktet që kanë nisur mes mësueses së Filozofisë dhe nxënësve, drejtoria e shkollës ka vendosur të kryejë një kontroll për mënyrën e metodikës së lëndës nga ana e saj. Këtë fakt e pohoi dje drejtori i shkollës, Vladimir Prifti, i cili dy ditë më parë është vënë në dijeni të problemit nga një peticion i nxënësve.