E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iu vidhte gërmat e bronxta varreve, pranga 35-vjeçarit

 DURRES/ OERD ULQINIIu hiqte bronxin apo bakrin gërmave të emrave apo epitafeve të gdhendur në varre, me qëllim për t’i shitur, arrestohet 35-vjeçari.Policia e Durrësit e arrestoi D.Mergon në kushtet e flagrancës, pasi ishin sinjalizuar më parë për “masakrën” që iu bëhej varreve të qytetit. I riu synonte varret e kushtueshme, ku emrat e të vdekurve ishin gdhendur me bronx. Familjarët e viktimave ishin ankuar disa herë te roja i varreve, derisa ky i fundit u detyrua të sinjalizonte policinë. Sipas policisë, shtetasi D. Mergo, i dënuar më parë për vjedhje, po bastiste kryesisht lulet e plastikës dhe epitafet prej bronxi nëpër varre, në momentin që u ndalua me thesin plot me to në lagjen “Spitallë” të Durrësit. Dyshohet se mbishkrimet e metaleve me ngjyra, ai do t’i shiste në pikat e grumbullimit me çmime të larta. “Arrestimi i tij u krye pas një sinjalizimi të dhënë nga rojet e varrezave. I riu u akuzua për veprat penale të “Dhunimit të varrezave” dhe “Vjedhjes”,” bëri të ditur Policia e Durrësit. Mësohet se prej disa kohësh, një pjesë e konsiderueshme e varreve janë dhunuar nga ana e të riut, i cili synonte të merrte prej tyre pikërisht lëndën prej bronxi, të cilën ai e shiste me një çmim të konsiderueshëm për shkak të cilësisë që kishte. Paralelisht me dorëzimin e çështjes në prokurori, policia e Durrësit në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit që administron varrezat, po kryejnë edhe inventarizimin e dëmeve nëpër varre. Disa prej varreve janë tejet të kushtueshme, me mermer të çmueshëm dhe shumë gërma bakri apo bronxi, çka bën që ato të bien në shënjestrën e grabitësve. Sipas policisë, fenomeni i dhunimit të varreve me qëllim shitjen e pjesëve të tyre është shtuar ndjeshëm. Qytetarët janë shprehur të habitur kur kanë vënë re një fenomen të tillë, në një kohë kur presupozohet se të vdekurit nuk mund t’i dhunojë askush. Por me sa duket 35-vjeçari është kënaqur me fitimin që i jepte vjedhja në varreza, duke i dhunuar ato herë pas here derisa më në fund u kap në flagrancë. Sipas burimeve, ai kishte futur në një thes shumë gërma të emrave të të vdekurve, si edhe lulet plastike që të afërmit e tyre ua lënë mbi pllakat e mermerta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›