AVUK-u pa bord

Që nga themelimi, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës nuk ka bord drejtues. E, me ligj e ka të obliguar ta ketë.
Kjo i ka garantuar kësaj agjencie një funksionim jonormal dhe probleme të mëdha në vendimmarrje. Gjithashtu i jep drejtorit të kësaj agjencie, fuqi të plotë dhe pa asnjë mbikëqyrje për punët që i bën. Në anën tjetër, drejtuesit e Qeverisë, e as vetë drejtori i kësaj agjencie, Çaush Kabashi, nuk e di se pse ka mbetur pa bord.
Neni 40 i Ligjit të veterinës dhe ushqimit thotë se AVUK-u përbëhet nga organi drejtues mbikëqyrës dhe këshillëdhënës. E, organ mbikëqyrës, sipas këtij ligji, është Bordi Drejtues.
“Kryeshefi i Agjencisë në koordinim me Bordin Drejtues udhëheq punët e Agjencisë. Kryeshefi, çdo vit përgatit dhe ia dorëzon për aprovim të gjitha dokumentet dhe politikat e agjencisë, Bordit Drejtues”, thuhet në Ligjin për veterinë dhe ushqim.
Bordi, thuhet në ligj, përbëhet prej shtatë anëtarëve të cilët i emëron Qeveria e Kosovës me propozim të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë dhe Ministrit të Shëndetësisë.
Drejtuesit e qeverisë nuk dinë asgjë për këtë punë dhe e konsiderojnë si çështje të vogël teknike. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, tha se nuk di asgjë rreth kësaj çështjeje dhe se kjo punë është aspekt teknik i vogël. “Kjo është një çështje teknike që s`mund të di për të”, tha Krasniqi.
Edhe drejtori i AVUK-ut, Qaush Kabashi, tha se nuk dinë pse nuk kanë krijuar bord, edhe pse është i obliguar me ligj. Sipas tij, këto punë do të duhej t’i dinë mirë drejtuesit e Kryeministrisë, saktësisht ata të Zyrës ligjore.
“Unë nuk di për këtë çështje, por duhet pyetur ata të Zyrës ligjore në Kryeministri që besoj se edhe janë kompetentë”, tha Kabashi. Kabashi e drejton këtë zyrë tash sa vjet.
Bordi Mbikëqyrës i Agjencisë do të duhej ketë dy anëtarë të caktuar nga Ministri i Bujqësisë, një anëtar i caktuar nga Ministri i Shëndetësisë, një nga Instituti i Shëndetësisë Publike. Anëtarët e Bordit Drejtues emërohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës brenda nëntëdhjetë ditëve nga shpallja e këtij ligji. Ky ligj është krijuar tash sa vjet.