Abazaj: Rama nuk i njeh hallet e qytetarëve
“Ne jemi çdo ditë pranë komunitetit dhe hasemi me shqetësimet e shumta të tyre, por Rama nuk e ka provuar ndonjë herë këtë gjë prandaj dhe e quan buxhetin e institucionit të tij si më të mirin e këtyre viteve”, kështu u shpreh në mbledhjen e djeshme kryetarja e njësisë bashkiake nr.6, Luzhiana Abazaj. Përpos kësaj, ajo tha se nëse kërkesat e komunitetit nuk gjejnë zgjidhje dhe nuk merren parasysh prioritetet e tyre, Rama duhet të tërhiqet. “Si mund të jetë kryebashkiaku më pranë kërkesave e nevojave të qytetarëve pa realizuar kërkesat e këtij komuniteti që kanë qenë të gjitha të pasqyruara në kërkesat e vjetshme të buxhetit, por ka përfunduar vetëm projekte të nisura që më parë”, tha Abazaj. Ajo nënvizoi se në pretendimet e shprehura nuk ka asgjë politike, por vetëm kërkesa apo realizime investimesh të kryera. “Shqetësimet e komunitetit janë të gjitha të pasqyruara në dokumentet e Njësisë Bashkiake, që i janë dërguar dhe Bashkisë së Tiranës, por nuk gjejnë pasqyrim në Projekt – Buxhetin e Bashkisë? Banorët nuk duan vetëm sheshin “Garibaldi”, por duan të jetojnë në një ambient të pastër, me lulishte, me stola të rregulluar, me ndriçim në të gjithë zonën”, tha Abazaj.