Abazaj, një “spiun shqiptar” në ndihmë të portugezëve
Eduard Abazaj, një ish-sulmues i njohur i Dinamos e Kombëtares shqiptare, por dhe një ish-trajner i Shkumbinit, e që jeton prej 16 vjetësh në Koimbra të Portugalisë, është shndërruar në një nga personazhet më të kërkuar të medias portugeze, të cilat i kanë kërkuar 45-vjeçarit opinionet e tij rreth përplasjes së madhe Shqipëri-Portugali (6 qershor 2009, “Qemal Stafa”). Abazaj nuk harroi të paralajmërojë portugezët, se formacioni i tyre duhet ta heqë nga mendja se do të përballet në Tiranë me një ndeshje “shumë të lehtë”.
“Nëse Portugalia do të shkojë atje, duke menduar se do të jetë një ndeshje e lehtë, mund të ndodhet përpara vështirësish, pasi do të luajë në një stadium me shumë entuziazëm, në të cilën lojtarët dëshirojnë të demonstrojnë aftësitë e tyre përballë publikut të tyre”, - tha Abazaj për agjencinë portugeze të lajmeve, Lusa.
Abazaj iu kujtoi portugezëve përpara ndeshjes së tyre decizive me Shqipërinë, se ajo do të jetë si një finale për ta, për më tepër që kjo përkon edhe me debutimin e trajnerit të ri, kroatit Josip Kuzhe. Sipas Abazajt, kjo mund të rezultojë si një benefic apo dhe të shndërrohet në vështirësi për Portugalinë. “Trajneri i ri punon prej vetëm pesë ditësh me lojtarët shqiptarë”, -tha Abazaj.
Abazaj, i cili ka punuar në Shqipëri edhe për pak kohë si trajner i Shkumbinit të Peqinit, u tregon portugezëve edhe disa “sekrete” të Kombëtares shqiptare. “Mesfushorët e përfaqësueses shqiptare janë të fuqishëm dhe mbrohen shumë mirë në zonë, nga ana tjetër ata duan të tregojnë vlerat e tyre përpara trajnerit të tyre të ri”.
Ish-futbollisti i Kombëtares, duke folur për agjencinë portugeze të lajmeve Lusa, pohoi se tridhjetë minuta e para të ndeshjes do të jenë një ferr i vërtetë edhe për një “makineri” të madhe si Portugalia. “Tridhjetë minuta e para do të jenë shumë të vështira për ekipin portugez, ekstremisht të vështira. Shqipëria do t’i hapë një punë shumë të madhe ekipit portugez”, - tha Abazaj për televizionin “Antena 1”
Abazaj pranoi se vitet e shumta që ai luajti në Portugali, e për më tepër që fakti që ai jeton në Koimbra, i shkakton atij një ndjenë speciale të ngrohtë për Portugalinë.
Kështu, sipas Abazajt, ai shpreson se Portugalia kualifikohet në Botërorin 2010, por megjithatë shqiptari ka një paraljmërim: “Unë shpresoj që kjo të ndodhë për Portugalinë. Por, kujdes kombëtarja e Shqipërisë nuk mund të kalohet aq kollaj”
Abazaj mbërriti në Portugali në vitin 1993 për të luajtur me Benfikën (1993), Boavistën (1994-1995 e më pas me Akademinë e Koimbrës (1995-1999) për të qëndruar më pas përfundimisht në Portugali. Edi ka licencën e nivelit të III-të si trajner dhe punon si mësues i Edukmit Fizik, por zbulon për agjencinë Lusa, se ndoshta, në të ardhmen, ai mund të jetë një ndihmës i mirë i Josip Kuzhes, pasi ai e njeh mirë atë. Abazaj ka luajtur në Kroaci me Hajdukun e Splitit. Në Portugali ka drejtuar vetëm skuadrën e Koimbrës, Penela.
5 Qershor 2009