E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiri: “Detyrën më të vështirë e ka mbrojtja”



Mbrojtja e Shqipërisë pritet të përballojë punën më të madhe kundër një Portugalie që do ta kërkojë golin nga minuta e parë. Një dialog midis Ronaldos me shokë nga ana ofensive portugeze dhe Beqirit e kompani nga ana defensive shqiptare. Elvin Beqiri, një nga mbrojtësit me përvojë në përfaqësuese (42 ndeshje) e më një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare (Ukrainë, Rusi e Izrael), pohoi gjatë konferencës për shtyp, se të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e sfidës. “Gjithçka është në shërbim të ndeshjes me portugezët. Po vazhdojmë përgatitjet intensivisht dhe kërkojmë që në ndeshjen e së shtunës të dalim në fushë me besim në vetvete. E dimë mirë rëndësinë e sfidës, ashtu siç dimë mirë se me kë kundërshtar kemi të bëjmë. E rëndësishme për ne është të jemi të impenjuar dhe të zbatojmë me përpikëri detyrat që do të na ngarkohen”, - tha mbrojtësi i Vllaznisë. Ronaldo, kampion i Anglisë me Mançesterin dhe finalist i Ligës së Kampioneve, pa dyshim është futbollisti më i rrezikshëm në duelin me Shqipërinë. “E gjithë skuadra ka një detyrë të vështirë përpara, por natyrisht është mbrojtja ajo që do të jetë në shënjestrën e kundërshtarëve portugezë. Të luash ndaj lojtarëve të tillë si Ronaldo, Deko, Nani, Mutinjo nuk është e lehtë. Vetëm të organizuar dhe me një shpirt të lartë gare do të mund të marrim një rezultat pozitiv. Një fakt që na ndihmon shumë është dhe prania e tifozerisë kuqezi në shkallët e “Qemal Stafës”, - përfundoi mbrojtësi Elvin Beqiri.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›