Abdija, një “Vieira i bardhë” shqiptar te Siena
Te klubi italian i Sienës, aty ku më parë kanë luajtur dy nga futbollistët shqiptarë më të famshëm në Itali, Riza Lushta (1951-1953) e Erjon Bogdani (2005-2006), po rritet me “shpejtësinë” e një talenti të lindur shqiptari Benkert Abdidja.
Mediat lokale italiane e kanë përshkruar shpesh shqiptarin si një “Patrik Vieira i bardhë” i bardhezinjve të Sienës U-17, kjo për ngjashmërinë fizike trupore (Abdija është 1.84 cm), qëndrueshmërinë, gjestet sportive e agresivitetin në lojë të 16-vjeçarit.
“Është një lojtar që bie menjëherë në sy për lojën e tij në mesfushë. Ka hap të madh dhe një stil të vetin të pasimit, ku mbizotërojnë topat e gjatë nga krahët. Duket i lindur për të qenë një lojtar i suksesshëm, gjithmonë nëse do të punojë seriozisht në të ardhmen”, - tha për “Albania”-n, menaxheri i njohur shqiptar i FIFA-s me banim në Itali, Sokol Haxhia.
“E kam ndjekur në aksion në disa ndeshje dhe duket që reflekton personalitet në lojë. Për më tepër që dhe në bisedat me trajnerin e tij, Mishel de Feudis, ky i fundit e çmon tepër rolin e tij në skuadër, duke e vlerësuar si një nga lojtarët më të ardhme te Siena. Të njëjtin mendim për Abdinë ndan dhe preparatori atletik i skuadrës”, - thekson Haxhia, një njohës i shkëlqyer i futbollistëve të rinj shqiptarë në Itali.
“Në kategoritë e ndryshme të moshave ka shumë të rinj shqiptarë që të befasojnë me teknikën e cilësitë e tyre futbollistike dhe që kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e menaxherëve të huaj”, - shton Haxhia, i cili menaxhoi me sukses edhe transferimin e Brian Filipit, sulmuesit të talentuar të Ravenës, por në pronësi të klubit të njohur të Palermos.
Sipas Haxhisë, mesfushori Abdija është në vëmendje të disa klubeve, që vazhdimisht dërgojnë skauterit e tyre në ndeshjet kampionateve të moshave në Itali. “Nuk është çudi që Abdija të kapërcejë menjëherë disa shkallë në ekipet e moshave, pasi ekipe si Siena e kanë në politikën e tyre promovimin e lojtarëve të talentuar”, - përfundoi agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia.
SKEDA
BENKERT ABDIJA
Datëlindja: 22.08.1993
Gjatësia: 184 cm
Roli: Mesfushor
Ekipi: Siena U-17, Itali
Kapllani pa gol, Karlsruhe drejt Bundesligës 2
Karlsruhe e Edmond Kapllanit humbi shansin më të madh në luftën për mbijetesë, duke humbur në shtëpi 0-1 me Arminian e Bielfeldit. Ashtu siç pritej, sulmuesi shqiptar, Edmond Kapllani, luajti gjatë gjithë takimit, por pa mundur edhe kësaj radhe të shënojë golin e tij të parë sezonal në Bundesligë. Golin e vetëm të takimit për Arminian e shënoi Janjiç, katër minuta përpara përfundimit të ndeshjes, duke “varrosur” akoma më thellë Karlsruhen në vendin e fundit. Forma e mirë e portierit të Arminias, Eilhof, e ruajti të paprekur portën e skuadrës së tij, edhe nga një goditje e fuqishme e Kapllanit në minutën e 24-t. Kapllani pati edhe dy shanse të tjera për ta mbyllur takimin me një gol, në minutat 56 dhe 65, por shqiptari sipas “Kicker”, u bllokua nga mbrojtësi Mijatoviç.
LALA - Hanoveri i Lalës firmosi një barazim dramatik 4-4 me Borusian e Dortmundit, në ndeshjen e vlefshme për javën 24 të Bundesligës 1 gjermane. Kapiteni i Kombëtares shqiptare nuk luajti asnjë minutë, ndërsa qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë. Miqtë nga Dortmundi shënuan të parët me anë të Frejit (17’) e Kringes (27’), përpara se Shtajner i Hanoverit të shkurtonte diferencën në minutën e 42-të. Golaeda vazhdoi Brugnink, i cili barazoi rezultatin në minutën e 49-të. Dortmundi kaloi sërish në avantazh 2-4 me Kringen (62’) e Frejin (65’), ndërkohë që Hanoveri vulosi shifrat 4-4, falë dy golave brenda katër minutash të Hankes (80’) e Forselit (84’).
16 Mars 2009