E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, mbahet në Britani takimi i G20-tës

Ministrat e Financave po përgatiten për samitin e muajit të ardhshëm.

Blerina Olldashi

Ministrat e Financave të G20-s u mblodhën dje në Britani për të diskutuar për çështjen e krizës ekonomike globale. Në këtë takim u fol për masat stimuluese për të nxjerrë ekonomitë nga recesioni. SHBA-të kanë bërë thirrje për rritjen e shpenzimeve publike ,por disa qeveri europiane janë shprehur se është i nevojshëm ndryshimi i rregullave që drejtojnë tregjet financiare. Ministrat e Financave të vendeve të G20-s u takuan në Anglinë Jugore për t’u përgatitur për samitin e muajit të ardhshëm në Londër. Kryeministri britanik, Gordon Braun, i ka minimizuar njoftimet se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë të ndara përsa u takon masave për të përballuar krizën. Kryeministri Braun foli në një konferencë për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, që vizitoi Britaninë. Ai tha se marrëveshjet nga vendet që shihen si parajsa për shmangjen e taksave, si Zvicra, Litenshtejni, Austria dhe Luksemburgu, për të adoptuar standarde ndërkombëtare kanë treguar atë që mund të kishte qenë e paimagjinueshme se mund të arrihej. Kryeministri britanik tha se SHBA-të do të mbështesin masat për rregullatorët edhe në sektorë të tjerë të financave përveç bankave, si fondet private të investimeve. “Tani ne kemi stimulimin më të madh fiskal të parë ndonjëherë dhe natyrisht që do ta shqyrtojmë këtë kur të vendosim se çfarë do të bëjmë në G20. Mendoj se vendet do të pajtohen me njëra-tjetrën, përsa i takon asaj që do të bëjmë në të ardhmen si për politikat fiskale, ashtu edhe ato monetare dhe në sistemin rregullator. Unë besoj se po hapet rruga për G20, kur një nga një ne jemi duke arritur marrëveshje për çështjet e mëdha për të ardhmen”, - tha Braun. Ndërkohë, kancelarja Merkel mohoi që Gjermania hezitonte për të stimuluar ekonominë, duke thënë se një paketë stimuluese që kishte propozuar qeveria e saj përbënte 4.2 për qind të GDP-së më shumë se në shumicën e vendeve të tjera.
Ajo tha se dëshironte të njehsonte efektet e krizës përpara se të angazhohej për të dhënë më shumë. G20 është grupi i vendeve më të fuqishme të botës, që së bashku përbëjnë 85 për qind të ekonomisë botërore. Sipas kancelares Angela Merkel, çështja nuk është të shpenzohet më shumë, por të zbatohet një sistem që mund të parandalojë kriza të ngjashme në të ardhmen.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›