E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i EULEX-it do të vizitojë Beogradin



Shefi i misionit të Bashkimit Europian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, Iv De Kermabon, do të vizitojë Beogradin në mesin e këtij muaji. Drejtori i Zyrës për Informim, Kristof Lamfalusi, është shprehur: “Kjo do të jetë një vizitë teknike. Kermabon ka qenë dhe në Podgoricë e në Shkup e do ta vizitojë edhe Tiranën”. Paralajmërimet për vizitën e ish-komandantit francez Kermbon në Serbi vijnë pak më shumë se një javë para mbledhjes së radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Presidenti kroat Mesiç anulon vizitat në tre shtete

Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, anuloi tri vizita të parashikuara shtetërore për periudhën e pranverës në Australi, Zelandën e Re dhe Brazil, për shkak të krizës ekonomike. Lajmi u njoftua dje nga kabineti i tij. “Për arsye të rrethanave ekonomike, ne jemi të detyruar të bëjmë kursime në sektorin publik. Presidenti kroat vendosi të rishikojë programin e tij të udhëtimeve jashtë vendit për këtë vit”, - thuhej në një komunikatë të kabinetit. Udhëtimet në këto tre vende do të studiohen më vonë, sipas zhvillimeve në fushën e ekonomisë, - saktësohej në këtë komunikatë. E përballur me një krizë të ekonomisë lokale, qeveria e Zagrebit pritet të procedojë me një rishikim të buxhetit 2009 deri në fund të muajit. Ekonomia kroate është godituar nga kriza ekonomike, pas shtatë viteve rritje ekonomike vjetore nga 4,3 - 5,6 për qind. Qeveria parashikon tashmë një tkurrje të aktivitetit ekonomik me 2 për qind në 2009-n.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›