Qeveria greke do të shesë “Olympic Airways”
Pas dështimit të një projekti për kalimin e aktiviteteve të mirëmbajtjes grupit Swissport, qeveria greke bëri të ditur se mendon t’ia shesë kompaninë ajrore kombëtare “Olympic Airways” grupit greko-emirat të investimeve Marfin (MIG). “Nuk u arrit një marrëveshje në afatet e kërkuara mes Swissport dhe MIG”, - deklaroi ministri i Zhvillimit, Kostis Hatzidakis, cituar nga një komunikatë. “Si rrjedhojë, ne hapim menjëherë diskutimet për mbylljen e marrëveshjes së shitjes me MIG-un për sektorin e mirëmbajtjes dhe të tokës, të kompanisë”, - shtoi ai duke konfirmuar një informcion të bërë publik nga media greke.
Një marëveshje e miratuar tashmë nga Komisioni Europian parashikonte që grupi zviceran të blinte aktivitetet në tokë, ndërs MIG (Marfin Investment Group) të merrte nga ana e tij aktivitetin ajror. MIG kishte njoftuar se ishte gati të merrte gjithashtu edhe shërbimin e mirëmbajtjes me çmimin e 44,8 milionë euro të ofruar nga Swissport, në rast dështimi të negociatave mes Athinës dhe këtij grupi.
Hungaria: Kroacia do të anëtarësohet në BE në 2011-n
Kroacia do të anëtarësohet në Bashkimin Europian në gjysmën e parë të vitit 2011. Kështu është shprehur ministrja e Jashtme hungareze, Kinga Goncz, sipas së cilës një gjë e tillë do të ndodhë kur Hungaria të marrë presidencën e radhës të BE-së.
Goncz e bëri këtë deklaratë pas bisedimeve me homologun e saj kroat Gordan Jandrokoviç në Zagreb dhe shtoi se Kroacia gjithashtu do të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s në samitin e ardhshëm të Aleancës në prill. Në këtë samit pritet që edhe vende të tjera të bëhen pjesë e Aleancës Veriatlantike.
16 Mars 2009