Sejdiu: “Serbët duhet të paguajnë borxhin ndaj KEK”
Presidenti Fatmir Sejdiu u bëri dje thirrje serbëve të Kosovës të paguajnë detyrimet ndaj KEK-ut pasi edhe ata, si të gjithë shtetasit e Kosovës, kanë të njëjtat detyrime ndaj institucioneve të vendit. “Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, kanë të njëjtat obligime ndaj institucioneve dhe kompanive të vendit. Serbët e Kosovës duhet të paguajnë obligimet ndaj KEK-ut”, - tha presidenti Sejdiu. Gjatë kësaj jave, serbët e fshatit Shillovë të Gjilanit kanë protestuar pasi kërkojnë furnizimin me energji elektrike ndërkohë që nuk i kanë paguar asnjë detyrim KEK-ut. Koorporata elektroenergjetike e Kosovës bëri të ditur se borxhi i këtij fshati arrin shifrën 678 mijë euro. Ndërkohë Korporata Energjetike e Kosovës ka refuzuar ndërmjetësimin e autoriteteve të Beogradit për zgjidhjen e problemit të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët serbë në Kosovë. Zyrtarë të qeverisë së Serbisë kanë thënë se do t’i dorëzojnë UNMIK-ut një plan për shlyerjen e borxhit të energjisë elektrike që kanë serbët e Kosovës. Qeveria e Serbisë i ka dërguar një notë proteste UNMIK-ut për shkak të problemeve me mosfurnizimin e serbëve me energji elektrike. Por zyrtarë të KEK-ut janë shprehur se për këtë çështje nuk dëshirojnë të arrijnë marrëveshje me Serbinë, por vetëm me konsumatorët serbë.
16 Mars 2009