Abdurrahmanët tonë
Nuk do të doja kurrë që në Prishtinë të shfaqej ndonjë “Abdurrahman” dhe të vepronte si Mevlid Jasarevic në Sarajevë. Por, rreziku ekziston. Deri kur duhet t’i mbyllim sytë përballë vehabive në Kosovë? Qëllova në Sarajevë, në 12 tetorin e vitit të kaluar, kur Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, preu shiritin e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës së SHBA-ve në mes të kryeqytetit boshnjak. “Simbol të vlerave që ndajnë të dyja vendet”, e cilësoi atëherë ajo këtë përfaqësi amerikane, të tetën për kah madhësia në Europë. Në qershor të këtij viti, në Sarajevë po bisedoja me nikoqiren time, Lamija, mu për rrezikun që i vinte Bosnjës nga vehabitë. Ndërtesa e Ambasadës prej 11 mijë metrash katrorë u përmend në muhabetin tonë, shkarazi, si cak i mundshëm sulmesh. Përmendëm edhe fshatin Gornja Maoca, afër Brckos, çerdhen e vehabive. “Ishalla nuk janë tranu”, tha ajo, duke aluduar në ta dhe mundësinë për të bërë “ndonjë marrëzi”.
Para dy javësh, gjatë vizitës së fundit në Sarajevë, pashë se kishin përfunduar punimet në murin rrethues të Ambasadës, në të cilin shërbente një personel prej më shumë se 400 vetash. Objekti gjigand është ngritur afër kampusit universitar (në vendin ku dikur ishte kazerma “Mareshali Tito”), respektivisht në rrugën “Robert Frasure”, që mori emrin e diplomatit amerikan që vdiq në Bosnjë më 1995. Gjithçka dukej qetë rreth Ambasadës, më 15 tetor, kur nga stacioni i autobusëve po bëhesha gati të udhëtoja drejt Beogradit. Kësaj radhe, vehabitë nuk i zuri në gojë askush nga miqtë e mi në Sarajevë. Republika Srpska dhe Milorad Dodik ishin tema kryesore. Ambasada Amerikane me siguri nuk do të vinte ndërmend deri në vizitën tjetër në Sarajevë, por të xhumanë e 28 tetorit, ajo u kthye në kryelajm të mediave botërore. Një 22 vjeçar shkrepi 105 plumba drejt ndërtesës që kushtoi 105 milionë dollarë. Duke thirrur “All-llahu Ekber”, Mevlid Jasarevic nga Novi Pazari zgjodhi që në këtë mënyrë të tregojë urrejtjen ndaj amerikanëve. Një dëshmitar tha se, madje, ai kishte përmendur emrin e Muammar Gaddafit, gjatë kohës sa po qëllonte drejt ndërtesës. I njohur ai Abdurahman, Jasarevic nuk ishte i panjohur për policinë. Në fillimin e vitit të kaluar, ai ishte arrestuar, bashkë me një tjetër vehabi, gjatë vizitës që Novi Pazarit po ia bënin dhjetë ambasadorë të shteteve perëndimore. Kishin planifikuar t’i sulmonin ata. Në emër të Islamit.
* * *
Në mediat perëndimore, Jasarevic u cilësua “terrorist serb”. Kjo shkaktoi reagime të ashpra në Beograd: thanë se ai ishte shtetas i Serbisë, por boshnjak, e jo serb. Në këtë mënyrë, Beogradi po provonte të hiqte përgjegjësinë ndaj aktit terrorist, duke lënë të kuptohet se për të dhe të tjerët si ai, llogari duhet kërkuar nga Sarajeva. Sanxhaku tash e sa vjet shihet si rajon i vehabive, pjesë e “linjës së gjelbër” që nis në Maqedoni dhe përfundon në Bosnjë. Mitrovica, Novi Pazari, Sjenica e Priboj janë përmendur shpesh në media si “stacione” të kësaj linje. Pavarësisht se nga veprimi i Jasarevic-it janë distancuar edhe vetë liderët e vehabive në Gornja Maoca, të paktë janë ata që besojnë se ai nuk është inspiruar dhe brumosur me ide të tilla pikërisht atje. Ky fshat u popullua me vehabi pas 11 Shtatorit 2001, kur ndodhën sulmet terroriste në SHBA dhe funksionon si “shtet n’veti”. Udhëhiqet nga shefi i vehabive, Nusret Imamovic, kurse shkolla aty funksionon sipas planprogrameve të Jordanisë. Jasarevic udhëtonte shpesh drejt Maocas dhe nga atje kthehej në Novi Pazar “për ta përhapur Islamin”. Të afërm të tij kanë rrëfyer se ai ishte “normal” deri kur ia nisi të shkojë në Bosnjë. Megjithatë, mësimet e para vehabiste duket t’i ketë marrë si tinejxher, në një xhami të Vjenës. Myslimanët e Sanxhakut funksionojnë me lider fetar të ndarë nga ai i myslimanëve të të gjithë Serbisë dhe janë të orientuar kah Bosnja. Në këtë mënyrë, për veprimet e tyre Beogradi drejton gishtin kah Sarajeva. Kanë qenë pikërisht vehabitë ata që ia kanë zënë për të madhe Myftiut të Bosnjës, Mustafa Ceric, që nuk e ka dënuar vrasjen e “vëllait” Muammar Gaddafi.
* * *
Kur përmenden vehabitë në Kosovë, zakonisht ngjallin frikë dhe pasiguri. E kur ndodhin të tilla ngjarje, si kjo e Sarajevës, është logjike të të vijë ndërmend se edhe Kosova ka “Abdurrahmanë”, të cilët në një moment mund të bëjnë të tilla gjëra të shëmtuara. Vehabitë ndër ne vazhdojnë të jenë temë gjysmëtabu. Liderë fetarë asnjëherë nuk kanë folur haptazi për rrezikun nga ta, ose i kanë përmendur shkarazi, ndërkohë që imamë të tjerë, larg ndikimit të Bashkësisë Islame, nuk kanë ngurruar t’i cilësojnë të rrezikshëm. Tashmë ata janë pjesë e jona, i shohim çdo ditë në rrugë, mblidhen në objekte/xhami të veçanta dhe zbatojnë rite të veçanta. Disa i takojnë linjës më të butë, e të tjerët asaj më të ashpër - që dhunën e përdorin si mjet për arritjen e qëllimeve. Më ka rastisur që në bisedë me ndonjërin nga ta, të më shprehin urrejtjen e pakufishme ndaj Amerikës dhe amerikanëve. Të ashpër ata shfaqen edhe në tubimet e veta.
A duhet të brengosemi, si shoqëri dhe institucione, për praninë dhe aktivitetin e tyre në vend? A duhet t’i mbyllim sytë para veprimeve të tyre? Apo, mos duhet të na ndodh diçka e ngjashme si në Bosnjë, në mënyrë që të na çelen sytë para një realiteti, të cilin jemi shtirur sikur nuk e kemi njohur më parë? Beogradi po bën çmos që botës t’i sqarojë se Jasarevic nuk është serb. Edhe Sarajeva po sqaron sa po mundet se ai është nga Serbia, jo nga Bosnja. Unë nuk do të doja kurrë që në Prishtinë të shfaqej ndonjë “Abdurahman” dhe të vepronte si Mevlidi në Sarajevë. Ka pak rëndësi nëse ai do të ishte shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Lugina e Preshevës. “Rasti Jasarevic” mbase duhet të shërbejë si thirrje për të parë ku jemi. Dikur do të bëhet vonë. E faj nuk do të na kenë as Beogradi, as Sarajeva.