E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, bashkëpunim të frytshëm me Shoqatën e Atlantikut të Veriut”

03-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), Troel Froling

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), Troel Froling.
Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me shoqatën e Traktatit të Atlantikut gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kontributin e rëndësishëm të saj në mbështetjen dhe promovimin e vlerave, për të cilat është krijuar dhe mbron NATO.
Froling shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen  që qeveria shqiptare i ka dëshmuar Shoqatës së Atlantikut të Veriut, dëshmi e qartë e së cilës është edhe mbajtja për herë të parë në Shqipëri e sesionit të 57-të, të Asamblesë së Përgjithshme të ATA. Ai shfrytëzoi rastin për ti përcjellë kryeministrit Berisha përshëndetjet më  të ngrohta dhe miqësore të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe njëkohësisht President i Asamblesë së Përgjithshme të ATA, Karl Lamers.
Në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit për sa i përket reformës së rëndësishme që NATO, Aleanca më e suksesshme politike-ushtarake e kohërave, po realizon për shndërrimin dhe transformimin e saj, për t’iu përgjigjur me efikasitetin që sfidat e shekullit të ri kërkojnë.
Në këtë kontekst, u vlerësua lart kontributi i jashtëzakonshëm i NATO-s, në Libi, që bëri të mundur parandalimin e planeve çnjerëzore të Gadafit, për eliminimin e mijëra dhe mijëra të pafajshmëve në këtë vend, gjatë lëvizjes së popullit libian për çlirimin nga regjimi diktatorial i Gadafit. Falë këtij kontributi, qytetarët libianë janë çliruar tashmë nga vargonjtë e robërisë dhe po shohin përpara drejt ndërtimit të lirisë në vendin e tyre. Froling vlerësoi edhe shndërrimin e rëndësishëm që ka pësuar Shqipëria gjatë këtyre viteve që bëri të mundur anëtarësimin e saj në NATO, duke e kthyer Shqipërinë në një shembull të rëndësishëm për shumë vende të tjera që po punojnë për realizmin e ëndrrës euroatlantike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›