E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abetarja mbarëkombëtare, fiton teksti i Shezai Rrokajt

Pas një procesi të gjate vlerësimi, komisioni i specialistëve ka arritur të konkludojë mbi tekstin më të mirë të Abetares mbarëkombëtare. Mes 7 projekteve konkurruese, gjuhëtaret Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe dy bashkautorë kosovarë janë  fituesit e Abetares mbarëkombëtare. Për herë të parë Abetarja ka një koncept krejtësisht të ri grafik, duke e konsideruar këtë si armë të fortë me synimin që figura të flasë po aq sa edhe fjalët. Stafi që ka konceptuar grafikën kryesohet nga Lorenc Buzi, i cili për shumë kohë ka qenë drejtues i grafikës së televizioneve të njohura në vend. Gjithçka u zyrtarizua dje nga Ministria e Arsimit. Pas hapjes se zarfeve, zv. ministrat e Arsimit të dy vendeve deklaruan tekstin dhe autorët fitues. Zv. ministri Halit Shamata deklaroi se Abetarja fituese ka marrë maksimumin, mbi 80 pikë, ndryshe nga 6 konkurrentët e tjerë. Abetarja fituese ka përmbajtje të thjeshtë, të kuptueshme dhe të dhëna më të qarta se tekstet e tjera, tha zv.ministri i Arsimit kosovar, Nehat Mustafa. Teksti i unifikuar që do tu mësojnë ABC-në fëmijëve të Kosovës e diasporës do të kushtojë 4.8 euro. Nëse zgjidhet nga shkollat shqiptare, kostoja e Abetares mbarëkombëtare hartuar për 100-vjetorin e Pavarësisë do të jetë 670 lekë, gati sa gjysma e çmimit të teksteve të tjera alternative. Abetarja fituese mbarëkombëtare do të jetë libri që do tu mësojë ABC-në fëmijëve të klasave të para në Kosovë dhe diasporë. Ndërsa në Shqipëri ajo do të konkurrojë në tregun shkollor me abetaret e tjera. Gjuha e përdoruar në tekstin e unifikuar për 100-vjetorin e Pavarësisë, është shqipja standarde. Ndërsa ka koston më të ulët se tekstet që janë sot në treg. Deri në fazën e fundit, tekstet më të perzgjedhura ishin: Abetarja e Bari Becit dhe ajo e Shezai Rrokajt.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›