Universiteti i Tiranës, 6180 kuota pranimi
Universiteti i Tiranës do të presë këtë vit 6180 studentë të rinj. Pas propozimeve të fakulteteve, Rektorati ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Ministrinë e Arsimit.
Janë 560 studentë më tepër se vitin e kaluar, për të cilët UT ka konkluduar se ka kapacitetet ti presë në auditorët e tij. Në shumë prej degëve janë shtuar nga 10-20 kuota. Fakulteti i Histori-Filologjisë ka propozuar me tepër pranime se një vit më parë. Degët e Historisë, Gjeografisë, Letërsisë dhe Gazetarisë kanë përkatësisht rreth 20 kuota më shumë se vjet. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka propozuar për të pranuar thuajse po aq studentë sa dhe vjet. Fakulteti i Drejtësisë do të pranojë 550 studentë, duke e shtuar me 50 vende numrin e kuotave në krahasim me vitin e kaluar. Fakulteti i Ekonomisë nuk ka ndryshime në krahasim me vjet. Fakulteti i Mjekësisë e ka rritur numrin e pranimeve në degët e Farmacisë, Mjekësisë e Stomatologjisë me 20 studentë më tepër. Po kështu edhe në disa degë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës pritet të rekrutohen më shumë studentë se vjet. Në degët e Biologjisë janë 30 kuota më shumë, në Fizikë 20 të tilla. Pas marrjes së këtyre propozimeve, Ministria e Arsimit do të konsultohet me specialistët e saj dhe do të bëjë gati propozimet, të cilat do të marrin më tej miratimin e Këshillit të Ministrave. Vitin e kaluar qeveria i dha prioritet shtimit të pranimeve në degët e Teknologjisë së Informacionit. Në total numri i tyre u rrit me 11%.
Formulari A2
Me anë të formularit A2, të cilin maturantët do ta plotësojnë pasi të japin provimet, do të konkurrojnë për në universitet. Në të ata do të zgjedhin 10 degët e preferuara. Ata do të shpallen fitues vetëm në një degë, sipas parimit të meritë-preferencës, pra pikërisht aty ku kanë më shumë pikë. Pikët do të llogariten nga vetë ata përpara se të plotësojnë formularin sipas dy formulave të bëra publike.
ZIRINA LLAMBRO