Katastrofa evropiane

Manchester United u eliminua nga Europa League të enjten pas humbjes 2-1 nga Athletic Bilbao që kompletoi fitoren me rezultat të përgjithshëm 5-3. Duke pasur parasysh dominimin e skuadrës spanjolle në të dy ndeshjet, humbja e Djajve të Kuq nuk ishte befasi.
Por, bilanci prej vetëm tri fitoreve në dhjetë ndeshjet në garat evropiane këtë vit, sigurisht se po. Ekipi i Sir Alex Fergusonit u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve nga Baseli që pranoi shtatë gola nga Bayern Munich të martën. Ferguson ka pranuar se Bilbao ishte skuadër më e mirë dhe se United e meritoi eliminimin.
Por, zëvendës kapiteni Patrice Evra ka shkuar edhe më larg duke e quajtur fushatën në Europa League si “katastrofë”. “Nga fillimi ishte një katastrofë”, tha ai. “Së pari Liga e Kampionëve, pastaj Europa League. Ne duhet të themi të vërtetën. Asnjëherë nuk luajtëm mirë dhe u eliminuam. Ne nuk luajtëm me dëshirën e njëjtë në Evropë sikurse që bëjmë në Premierligë. Duhet të pranojmë këtë” shtoi reprezentuesi francez.
Evra theksoi se skuadra mund të ketë pasur vetëbesim të tepruar dhe kjo i kushtoi atyre. “Ndoshta ne kishim besim të tepruar në fillim të Ligës së Kampionëve. Ne menduam se do të kualifikohemi dhe u eliminuam nga Baseli. Ka qenë një vit i vështirë për Manchester Unitedin në Evropë. Ju mund të shihni dallimin. Ne kemi qenë më të përqendruar në ligë. Duhet të jemi të sinqertë, ne nuk e merituam të jemi në Ligën e Kampionëve dhe Europa League”, theksoi ai.
United do të shpresojë të jap shenja të rikthimit kur takohen me Wolverhampton Wanderers në Molineux të dielën. Kampioni në fuqi ka dalë në krye të Premierligës dhe Evra insiston se ekipi duhet të mbrojë titullin dhe kështu të përfundojë edicionin në shenjë pozitive.
“Sigurisht se mund të rikthehemi. Nuk jam i brengosur për ligë sepse ne gjithmonë jemi paraqitur mirë. Tani jemi në krye të ligës dhe nuk duam të jemi të dytit. Duhet të përqendrohemi te dueli me Wolvesin. Është ndeshje e madhe dhe duhet të përkujdesemi të fitojmë. Një klub i madh si Manchester United duhet të luftojë në çdo garë. Por, tani nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet të përqendrohemi në ligë. Ne duhet të fitojmë ligën për të shpëtuar sezonin. Nëse nuk e fitojmë ligën, do të jetë një sezon shumë i keq për ne”, përfundoi Evra.