Portieri Berisha rikthehet me gol

Portieri Etrit Berisha është rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme në portën e Kalmarit, pas një lëndimi që e kishte lënë jashtë fushës për disa muaj. Prishtinasi ka bërë rikthim sensacional pasi shënoi golin e fitores në ndeshjen miqësore kundër Trelleborgut të shtunën.
Ish portieri i 2 Korrikut ishte figura kryesore e kësaj përballjeje, pasi në minutën e pestë ka kaluar në epërsi ekipin suedez 1:0 nga pika e bardhë, me të cilin rezultat edhe përfundoi takimi.
“Trajneri mendoi se unë duhet ta ekzekutoj penalltinë dhe ajo fatmirësisht shkoi mirë. Unë me kënaqësi do të kryej njëmbëdhjetëmetërshat në të ardhmen por kjo varet nga trajneri”, ka thënë Berisha për mediat suedeze pas ndeshjes.
Portieri kosovar qëndroi disa ditë në Kroaci për një rehabilitim, pas dhimbjeve që ndiente në këmbë. Tani Berisha po punon intensivisht që të rikthehet më i fortë, pas lëndimeve të njëpasnjëshme derisa synon të fitojë tituj me Kalmarin në elitën e futbollit suedez, e cila do të fillojë pas dy javësh.