Berisha pranë rekordit

Besart Berisha po vazhdon të shkëlqejë në Australi. Ai sërish ishte protagonist i skuadrës Brisbane Roar. Sulmuesi kosovar të shtunën shënoi gola për skuadrën e tij, e cila fitoi si mysafire Newcastle Jets me rezultat minimal 1:2.
26-vjeçari ka realizuar golin e parë për Brisbanen në minutën e 13’të, i cili ishte goli i tij i nëntëmbëdhjetë personal, i realizuar gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit australian (A-League).
Me golin e realizuar kundër Newcastle Jets, ku aktivizohet kosovari tjetër Labinot Haliti, 26’vjeçari ka barazuar rekordin e vendosur nga ish-sulmuesi i Gold Coast United, Shane Smeltz në edicionin 2009-2010.
“Berisha tani ka nevojë për të shënuar vetëm edhe një gol për të thyer rekordin e shënimeve brenda një sezoni, të cilin aktualisht e mban Shane Smeltz që nga sezoni 2009-10”, shkruajnë mediumet australiane.
Xhiron e ardhshme do të luhen ndeshjet e fundit të sezonit në A-League. Përveçqë do të kërkojë golin e 20’të për të hyrë në histori të futbollit australian, Berisha mund të festojë edhe titullin e kampionit.
Kampionatit australian i prin Coast Mariners me 48 pikë të tubuara, dy më shumë sesa Brisbane Roar. Humbja eventuale e Coast Marinersit dhe fitorja e Brisbanes do t’i japë mundësinë kësaj të fundit ta mbrojë titullin e kampionit.
Pa dyshim se meritat më të mëdha për të ndjekur kreun e tabelës hap pas hapi i ka sulmuesi prishtinas, i cili pa dyshim se po kalon formën më të mirë të karrierës.
Pas paraqitjeve të mira, skuadra e Brisbane Roarit javë më parë i ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet Berishës, i cili tashmë është shndërruar në lojtar kryesor te kampioni aktual i Australisë.
Megjithëkëtë, Brisbane tashmë mund të mbetet pa reprezentuesin shqiptar, për të cilin interesim kanë shprehur disa ekipe, e posaçërisht gjiganti kroat, Dinamo Zagreb.