E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abidal operohet me sukses

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal ka hequr tumorin në mëlçi, pas operacionit në spitalin BarnaClinic Grup në qytetin katalan. Ylli francez, varësisht nga gjendja, mund të lirohet nga spitali brenda një jave. Ndërhyrja kirurgjike zgjati tri orë e gjysmë. Nga Express më 19 mars 2011 në ora 12:29

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal është operuar me sukses, duke hequr tumorin në mëlçi, ka njoftuar klubi nga La Liga. Reprezentuesi francez ishte operuar nga doktori Josep Fuster Obregon në spitalin BarnaClinic Grup në qytetin katalan.

Barcelona ka theksuar se tumori është hequr gjatë operacionit që zgjati tri orë e gjysmë të enjten mbrëma dhe shkoi pa komplikime.

“Varësisht nga gjendja e mëtutjeshme, futbollisti mund të lejohet të largohet nga spitali brenda një jave. Ndërsa, sipas dëshirës së futbollistit, klubi kërkon respekt maksimal për të drejtat e privatësisë”, thuhet në komunikatën e publikuar në ueb faqen zyrtare të Barcelonës.

Abidal iu bashkua Barcelonës nga Olympique Lyon më 2007 dhe ka qenë titullar këtë sezon. Ekipi i Pep Guardiolas udhëheq La Ligan spanjolle dhe është kualifikuar për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku do të takohet me Shakhtar Donetsk. Me 52 paraqitje për Francën, Abidal debutoi me Kombëtaren më 2004 dhe me Trekolorët luajti në dy kampionate botërore si dhe Euro 2008.

Cesc Fabregas dhe Cristiano Ronaldo janë disa prej futbollistëve që kanë dërguar urimet e tyre te Abidal, pas publikimit të lajmit për tumor të martën.

Bashkëlojtarët e tij nga Barcelona kanë vepruar shpejt në përkrahje të tij, ndërsa mesfushori Xavi tha: “Ai është person i fuqishëm, njëri prej më të fortëve që njoh dhe shembull për të gjithë në zhveshtore. Ne jemi me të dhe ai është njësoj si gjithmonë, ai na dha përkrahje. Ai do ta mposhtë këtë. Ne ishim të befasuar se në çfarë gjendjeje të mirë është. Ai na tha ‘kjo është jeta’”.

Duke folur për ndikimin e sëmundjes së Abidalit në ekipin e Barcelonës, Xavi shtoi: “Është ndoshta goditja më e rëndë që kemi marrë ndonjëherë. Ishte momenti më i vështirë që kam përjetuar në zhveshtore. Do të përkujdesemi që kjo të na bashkojë më tepër se kurrë. Kur situata të ndryshme ndodhin në nj grup kolektiv, ato ndihmojnë në bashkimin e tij dhe këtë do të mundohemi ta bëjmë, të mundohemi të lejojmë që të na prekë sa më pak të jetë e mundur. Jeta vazhdon”.

Ende është e paqartë se për sa kohë Abidal do të qëndrojë jashtë fushës, por mungesa e gjatë do të jetë goditje e rëndë për Barcelonën, që ka pesë pikë epërsi ndaj Real Madridit, 10 ndeshje para përfundimit të sezonit në La Liga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›