E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme për Bunjakin

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 12:38

Duket se Albert Bunjaki po has në vështirësi për ta përpiluar listën me emrat e futbollistëve, të cilët do t’i mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj Bursasporit, e cila zhvillohet më 27 mars në Prishtinë.

Kjo pasi disa futbollistë të cilët janë ftuar në përfaqësuese në ndeshjet miqësore të fundit të saj, kësaj radhe nuk do të mund t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së selektorit kosovar për duelin ndaj kampionit turk, kryesisht për shkak të lëndimeve.

Mbrojtësi i Kalmarit, Alban Dragusha ka konfirmuar se nuk do të jetë prezent në kryeqytetin kosovar më 27 mars. “Po vuaj nga një lëndim që e kam pësuar në këmbë dhe nuk do të mund të luaj. Madje, as klubi nuk më lejon të vijë për shkak të lëndimit”, ka thënë Dragusha për Express.

Po ashtu, bashkëlojtari i Dragushës, Liridon Leci nuk do të mund të luajë në këtë miqësore, pasi mesfushori po vuan nga një lëndim në ije. Mungesën e këtyre dy futbollistëve e ka konfirmuar edhe Bunjaki.

“Deri më tani rreth 40 apo 50 për qind e ekipit është bërë gati. Kurse, deri në fillim të javës që vjen besoj se gjithçka do të bëhet gati. Nuk është lehtë, sepse ka klube që nuk i lirojnë futbollistët, ka klube që duhet t’i lusim për t’i liruar, sepse Kosova nuk është anëtare e FIFA-s e UEFA-s dhe klubet nuk janë të obliguara që t’i lirojnë”, tha Bunjaki për Express. “Megjithatë, tani e kam më lehtë sesa në tubimin e parë që e pata bërë”, shtoi ai.

As Mërgim Mavraj nuk do të jetë prezent në këtë miqësore. Mbrojtësi i Greuther Furthit ka thënë se nuk është ftuar nga Bunjaki, i cili po ashtu nuk e ka ftuar as futbollistin e Lahtit, Drilon Shala. Njëherësh, mbrojtësi 18-vjeçar i FC Honka, Lum Rexhepi ka konfirmuar se për arsye personale nuk do të mund të debutojë kësaj radhe me përfaqësuesen e Kosovës. Por, ai ka thënë se një gjë e tillë do ta bëjë në një të ardhme jo të largët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›