E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abone false në urbanët e Beratit

 

BERAT- Drejtoria e parkut të linjës urbane në Bashkinë e Beratit alarmon falimentimin. Kjo për shkak se gjatë dy muajve të fundit, kjo linjë është përfshirë nga një numër i konsiderueshëm abonesh false, të cilat janë hedhur në treg. Këtë fakt e pohoi dy ditë më parë edhe kreu i kësaj drejtorie, Stavri Melëngu. Sipas tij, më problematike është situata në linjën urbane brenda qytetit,  Kombinat – Uznovë. Në sajë të përdorimit të këtyre aboneve, shumë qytetarë kanë përfituar duke mos paguar udhëtimin e tyre. “Ne kemi kërkuar ndihmën e seksionit të krimit ekonomik në polici, që të na ndihmojnë për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve që kanë kryer këtë falsifikim. Kjo ka bërë që të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat e kësaj ndërmarrje”, u shpreh Melëngu. Burime pranë kësaj drejtorie bënë të ditur se të ardhurat e shitjeve të biletave kanë pësuar një rënie rreth 40 për qind gjatë dy muajve të fundit. Policia e Rendit si dhe ajo Bashkiake janë vënë në lëvizje për evidentimin e vendprodhimit të këtyre aboneve.               d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›