Mbillen 70 pemë në rrugën “Ndre Mjeda”
Mbillen 70 pemë në rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet. Për të nxitur më tej këtë iniciativë, kryebashkiaku Edi Rama u ka bërë thirrije sipërmarrësve të kontribuojnë për përmirësimin e kushteve mjedisore. “E përsëris thirrjen time për të gjithë sipërmarrësit, që të kontribuojnë për të mbjellë pemë në kryeqytetin tonë të përbashkët, në mjedisin tonë të përbashkët, në vendin që do t’u lëmë fëmijëve tanë, sepse sa më shumë pemë të mbjellim sot, aq më e garantuar është e ardhmja e qytetit tonë dhe e fëmijëve tanë”, nënvizoi Edi Rama. Nga sa bën me dije Bashkia e Tiranës, muajt janar dhe shkurt të këtij viti janë muajt gjatë të cilëve do të përfundojë mbjellja e rreth 3000 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme, si rrape, bli aromatik, gështenja, manjola, shkurre dekorative, nëpër të gjitha hapësirat e planifikuara të kryeqytetit. “Mbjellja e pemëve mbetet gjithmonë një lajm i mirë për një Tiranë që ka nevojë të rrisë dita-ditës përmasën e gjelbër në një kryeqytet”, tha Rama.