E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidi dhe Rrustemi, largohen nga Alki

 

Jetmir Halilaj

Isli Hidi dhe Blerim Rrustemi, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare janë shumë pranë largimit nga skuadra qipriote e Alki Larnakës. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat vendëse dhe më pas e kanë konfirmuar edhe vetë futbollistët. Portieri dhe mbrojtësi nuk janë paguar për tre muajt e fundit dhe pas paralajmërimeve të shpeshta që u kanë bërë drejtuesve të klubit të tyre, lojtarët shqiptarë kanë vendosur t’i drejtohen Federatës Qipriote, ku kanë paraqitur një ankesë.
Konflikti
Portieri i përfaqësueses dhe qendërmbrojtësi nuk janë paguar për tre muajt e fundit. Deri para dy ditësh lojtarët kanë pritur me shpresën se drejtuesit e Alki Larnakës do të mund të reflektonin dhe do t’i shlyenin detyrimet ndaj tyre, por duke qenë se premtimet e përsëritura nuk janë mbajtur, atëherë lojtarët kuqezi kanë vendosur të ankohen në federatë. Sipas uebsajtit qipriot, “Kerkida.cy”, klubi i Alki Larnakës duhet të paguajë 41 mijë euro për të dy futbollistët dhe më pas mund t’i lërë ata të lirë, pasi në të kundërt rrezikon sanksione nga UEFA. Klubi qipriot kohët e fundit është zhytur në një krizë financiare dhe kjo është reflektuar edhe në rezultatet e skuadrës. Hidi dhe Rrustemi kanë qenë titullarë të padiskutueshëm të kësaj skuadre dhe kanë luajtur rregullisht gjatë fazës së parë. Skuadra e Alki Larnakës renditet në vendin e 9-të me 18 pikë të grumbulluara gjatë 18 ndeshjeve në kampionatin qipriot.
E ardhmja
Isli Hidi shpreson që kjo gjë të zgjidhet brenda pak ditësh, në të kundërt largimi nga ekipi do të bëhet zyrtar. Në një deklaratë të dhënë nëpërmjet telefonit për “Panorama”, gardiani kuqezi ka pohuar se klubi nuk e ka shlyer financiarisht. “Po, është e vërtetë që kemi probleme, por unë nuk dua të jap shumë komente rreth kësaj, sepse jemi ende në bisedime. Shpresoj që situata të zgjidhet sa më shpejt, në të kundërt do të më duhet të shoh për ndonjë skuadër tjetër”, ka deklaruar portieri i kombëtares. Të dy lojtarët janë larguar momentalisht nga skuadra dhe presin që situata të zgjidhet sa më shpejt.
Tirana
Tirana ka qenë gjithnjë si një familje për të, por për momentin Isli Hidi nuk e ka mendjen te bardheblutë, madje e mohon me ngulm që të mund të ketë nisur bisedimet me drejtuesit e klubit kryeqytetas, për t’u rikthyer aty. “Nuk kam folur me askënd deri tani. Tirana? Tani jam i përqendruar vetëm te zgjidha e këtij problemi”, ka thënë gardiani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›