Diplomat pa tituj, studentët e gazetarisë në protestë
Studentët e gazetarisë paralajmërojnë me protesta në rast se nuk ndryshon përmbajtja e diplomës që do t’u lëshohet në përfundim të ciklit 3-vjeçar.Ata e kanë cilësuar si të cunguar dhe krejtësisht të pavlerë formatin e saj. Dje përfaqësues të studentëve i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit për zgjidhjen e problemit, pas një peticioni të dërguar më parë në dekanat. Jo vetëm i ngjan një certifikate të fituar në një kurs disamujor, por nuk ka asnjë element që të garantojë vlefshmërinë e saj. “Më skandaloz është fakti se në diplomë nuk është vendosur fare titulli ‘Gazetar’, por vetëm nisja e studimeve dhe përfundimi i tyre. As fakulteti, madje, ku kemi studiuar nuk është vendosur. Kjo lloj diplome nuk shihet me sy, por ne nuk kemi garancinë më të vogël që nesër të njihet në tregun e punës”, sqarojnë studentët. Ata pohojnë se nuk do të pranojnë të pajisen me një dokument të tillë për aq kohë sa Ministria e Arsimit nuk do vendosë të bëjë ndryshimet përkatëse.Është pikërisht ky institucion, i cili prodhon diplomat e nivelit të parë sipas sistemit të Bolonjës, të cilat tërhiqen më tej nga shkollat e larta. “Sot nuk arritëm të merrnim asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit, na thanë se do ta shikojnë si problem. Në rast se nuk ndryshon asgjë, ne do të dalim në protesta”, thanë studentët. Disa ditë më parë ata kanë dërguar një peticion në dekanat. Pasi është njohur me pretendimet e tyre, kreu i fakultetit, Shezai Rrokaj, mbështet plotësisht ata në shqetësimin e tyre. “Përveç shqetësimit estetik të kësaj diplome, pretendimet e studentëve për titullin dhe fakultetin janë shumë të drejta”, ka deklaruar Rrokaj. Por ai nënvizoi gjithashtu se është Ministria e Arsimit ajo që vendos për formën dhe përmbajtjen e këtij dokumenti. Ai sqaroi se si Fakultetit Histori-Filologjisë, por ashtu edhe rektori i UT, i kanë përcjellë Ministrisë së Arsimit shqetësimet që ngrihen mbi këtë diplomë, por ende nuk ka një përgjigje nga ana e autoritetit më të lartë arsimor të vendit. Modeli i diplomës së re është prodhuar për herë të parë këtë vit. Vitin e kaluar studentët që e kanë marrë një të tillë pas përfundimit të ciklit 3-vjeçar sipas Bolonjës, nuk kanë pasur pakënaqësi. Në të kanë qenë të gjithë elementet e nevojshëm që garantojnë vlefshmërinë e saj, por edhe titulli “Gazetar” që lëshohet në përfundim të shkollës së lartë. z.ll