E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo:Me barnat e farmacive po prodhohen droga sintetike

 

Shifrat flasin për një fenomen që po rritet frikshëm. Zyrtarisht raportohen 40 mijë përdorues droge në vendin tonë, por numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë. Në takimin e organizuar dje ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, theksoi se mbarë shoqëria duhet të sensibilizohet e të ndërhyjë për të reduktuar këtë problem madhor. Ndërkaq, ajo bëri prezent edhe një tjetër shqetësim, që është vërejtur së fundmi nga strukturat e shëndetësisë. “Studimet konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës (ekstazi, metamfetaminë). Këtu duhet theksuar rritja e vëmendjes sonë lidhur me prekursorët e këtyre substancave (efedrinë, pseudoefedrinë, të cilat janë substanca medikamentoze legale”, tha Godo. Ajo nënvizoi se të tillë përbërës bazë për drogat sintetike janë lehtësisht të gjindshme në tregun tonë  farmaceutik. Për rrjedhojë, edhe në kushte të një teknologjie laboratorike primitive artizanale, modifikohen për përftimin e substancave në fjalë”, tha Ministrja Godo. Personat që konsumojnë kanabis zënë rreth 65 % të përdoruesve të drogës. Në këtë grafik përdorimi i opiateve, kryesisht të heroinës, arrin në 20-25%. Një pjesë e konsiderueshme e tyre e marrin me shiringa, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme edhe të rënda. Ndërkaq, në shifra disi më të ulëta është marrja e kokainës, e cila arrin 10% të numrit total. Sa i përket qendrave të trajtimit për përdoruesit e drogave të rënda sipas ministres Godo, mbetet ende punë për të bërë. “Konkretisht, operon vetëm një strukturë trajtuese adiktive publike, Klinika Toksikologjike me kapacitet vetëm 10 shtretër dhe me modesti modalitetesh (ndërhyrje në krizë dhe detoksifikim), e cila përgjatë karrierës së saj aktive (që më 1995) ka trajtuar një numër relativisht të ndjeshëm toksikomanësh, rreth 14 000”, tha ajo. Por edhe kjo strukturë gjatë këtij harku kohor ka qenë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. “Transferimi i të vetmes Klinikë Toksikologjike publike, nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes, në atë të Ministrisë së Shëndetësisë, përbën zgjidhjen e një handikapi frenues për këtë shërbim dhe hap rrugën për ngritjen e institucioneve të tjera, përbërëse të zinxhirit trajtues”, deklaroi Godo. Ministrja nënvizoi gjithashtu, se vetëm kaq është e pamjaftueshme për të përballuar sfidën në frontin e kërkesës për drogë. Në kushte të tilla, ngritja e rrjetit trajtues e rehabilitues, me shërbime që të arrijnë maksimumin e numrit të individëve në nevojë, me efektshmëri të lartë dhe kosto të ulët, duhet dhe do të përbëjë boshtin e aktivitetit të institucioneve përkatëse.

Drogat sintetike

Ekstazi,
metamfetaminë
Përftimi:
Në laboratorë me përzierës
Efedrinë
dhe
pseudoefedrinë
(medikamente legale në treg)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›