E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, këshilltarët kundër shitjes së pronave

 

BURREL - Ka ngjallur habi tek këshilltarët e Bashkisë së Burrelit relacioni i administratës së bashkisë për shitjen e banjave të qytetit. Sapo radha e diskutimeve i erdhi shitjes së banjave të qytetit, ish-kopshtit në lagjen “Pjetër Budi” dhe një zyre në katin e parë të godinës së partive politike, këshilltarët kanë reaguar, duke kundërshtuar këtë projekt të Bashkisë Burrel. Këshilltarët Kastriot Panavija e Gani Ahmeti janë shprehur se shitja e këtyre objekteve është në dëm të komunitetit dhe një gjë e tillë nuk duhet lejuar. “Jam i habitur se si drejtues e punonjës të administratës së bashkisë kanë guxuar të firmosin privatizimin e këtyre objekteve të rëndësishme. Më i çuditur jam nga juristja e bashkisë, e cila ka gabuar kur ka firmosur relacionin për shitjen e këtyre objekteve””, tha Panavija. Reagimi i shpejtë i këshilltarëve bëri që drejtuesit e bashkisë të tërhiqen shpejt dhe të kërkojnë publikisht shtyrjen e shqyrtimit të shitjes së banjave, ish-kopshtit e bodrumit të selisë së partive politike. “Relacioni nuk është i plotë. Mungon çmimi i objekteve, mungojnë skicat e tyre, pra dosja nuk është e plotësuar”, u kujtuan vendorët në mbledhje. Pas debatit të ndezur, kryesisht për banjat e qytetit, u vendos të ngrihet një komision me pesë këshilltarë që do të shqyrtojë pronat e bashkisë dhe do të relatojë në këshill se çfarë do të bëhet me to.     h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›