Abortet, gjinekologët: Pro ndalimit të EKO-ve të gjinisë
Gjinekologët shqiptarë mbështesin rezolutën e Këshillit të Europës për ndalimin e EKO-ve që tregojnë seksin e bebes. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vendin tonë, ku numri i aborteve vazhdon të mbetet i lartë vit pas viti, dhe në pjesën më të madhe të rasteve shtatzënitë ndërpriten për shkak të gjinisë së foshnjës, gjinekologët thonë se edhe në Shqipëri duhet të jetë një ligj, i cili të ndalojë nënat të shohin seksin e fëmijës, për të mos ekzistuar abortimi nëse fëmija është femër. Sipas drejtoreshës së Spitalit Gjinekologjik, “Koço Gliozheni” në Tiranë, Rubena Moisiu, projektligji i ideuar nga Këshilli i Europës tregon, se jo vetëm Shqipëria, por edhe shtete të tjera kanë këtë fenomen, abortimin e fëmijës nëse rezulton femër, ndaj ky projektligj duhet të mirëpritet edhe në vendin tonë. Mjekja gjinekologe, Rubena Moisiu bën të ditur se gjatë një pyetësori që u është bërë nënave pas abortit, ato kanë shpjeguar edhe arsyen, që ishte përveç gjendjes ekonomike, dhe gjinia e fëmijës që ishte femër. Vetëm në vitin 2010, në Maternitetin e Ri në kryeqytet janë realizuar 740 aborte, ku tri nga shkaqet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi kanë qenë: gjendja ekonomike, fëmijë me deformime si dhe gjinia e fëmijës, e cila rezulton e seksit femër. Sipas gjinekologëve, në shumë raste çiftet e reja nuk e presin me entuziazëm lajmin se do të sjellin në jetë një fëmijë të seksit femër. Ndonëse për nënat e reja gjinia e fëmijës nuk është problem serioz, për baballarët ndodh e kundërta. Këta të fundit në mjaft raste bëhen shkaku kryesor që gruaja të ndërpresë shtatzëninë nëse fetusi është vajzë. Ndonëse aborti në vendin tonë lejohet deri në 12 javë dhe gjinia e bebes shikohet mbas 14 javëve, sërish shifrat e aborteve për këtë qëllim janë të larta, çka bëri që Shqipëria të ishte pjesë e raportit problematik të Këshillit të Europës dhe ku po diskutohet ndalimi me ligj i EKO-ve që tregojnë seksin e bebes që në barkun e nënës. Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu pranon shifrat e larta të abortit për shkak të gjinisë, ndonëse nuk ka statistika, pasi kryhen në kundërshtim me ligjin. Ndonëse ndalimi i EKO-ve për të dalluar seksin e bebes që në barkun e nënës shkel të drejtën e çifteve të reja që bëhen prind për herë të parë, gjithsesi kjo mendohet se është një zgjidhje për të mos privuar bebe femra të vijnë në jetë. Sipas një tjetër mjekeje gjinekologe, Vjollca Tare, EKO-t ku dallohet gjinia e bebes përbëjnë një moment shumë të bukur për çiftet e reja që bëhen për herë të parë prindër, e që janë një emocion i veçantë. Mjekët gjinekologë shpjegojnë se një abort i bebes mbi 12 javë bëhet vetëm me komision dhe për ndonjë sëmundje të rëndë, të trashëgueshme, ose nëse rrezikon jetën e nënës, por ato që shkelin ligjin dhe që nuk i raportojnë janë klinikat private.
Rezoluta e KE, mjekët të mbajnë sekret gjininë
Nëse vitet e fundit, gjinia e një bebeje të palindur mësohej nëpërmjet një ekografie, një akt i tillë tashmë mund të ndalohet me ligj në Bashkimin Europian. Një vendim i tillë mund të merret për shkak të aborteve të shumta selektive, veçanërisht kur fëmija i palindur është vajzë. Gjërat mund të ndryshojnë në Bashkimin Europian. Sipas mediave angleze, Këshilli i Europës ka propozuar një projektligj, i cili ndalon gratë që janë në pritje të një fëmije që të mësojnë gjininë e fëmijës së tyre ende të palindur. Sipas projektligjit që ende nuk është dërguar për miratim, stafet mjekësore udhëzohen që të ruajnë informacionin rreth gjinisë së fetusit. Disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat tashmë janë pjesë e familjes europiane kanë praktikuar abortet selektive, por nëse ky ligj miratohet, atëherë do të zbatohet në çdo vend europian. Nëse ky projektligj miratohet, atëherë do të ishte një goditje për ata prindër, të cilët dëshirojnë të dinë gjininë e bebes shumë kohë përpara. Projektrezoluta e Këshillit të Europës për ndalimin e EKO-ve që tregojnë seksin e bebes pritet të miratohet në Parlamentin Europian dhe nëse ajo merr votat e duhura pro, do të zbatohet në 47 vende anëtare, përfshi edhe Shqipërinë.