E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi në Shqipëri dhe Kosovë: Të unifikohen tregjet

Biznesi shqiptar dhe ai kosovar kërkojnë unifikimin e tregjeve duke hartuar politika fiskale dhe një legjislacion të përbashkët. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka u shpreh gjatë një takimi me përfaqësues të komisionit parlamentar të Ekonomisë të Kosovës se, bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të jetë jo vetëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare, por edhe në hartimin e politikave ekonomike të përbashkëta. Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë të Kosovës, Zenun Pajaziti tha se në këtë drejtim duhet të krijohen ekipe të përbashkëta për ta çuar përpara bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Delegacioni parlamentar kosovar zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Sali Berisha, ku u diskutua mbi bashkëpunimin midis dy administratave për përmirësimin e legjislacionit, standardizimin e tij dhe lehtësimin e procedurave në bashkëpunimin midis dy vendeve në rritjen e investimeve të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, të energjisë etj. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë 8-mujorit të vitit 2011, volumi tregtar mes dy vendeve arriti në 11.789 miliardë lekë. Eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në 8.738 miliardë lekë. Me të njëjtin ritëm rritje janë shoqëruar edhe importet nga Kosova. Vlera e produkteve të importuara arriti në 3.051 miliardë lekë. Biznesi shqiptar dhe ai kosovar kërkojnë unifikimin e tregjeve duke hartuar politika fiskale dhe një legjislacion të përbashkët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›