Presidenti Topi pret përfaqësues të Lidership-it
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje një përfaqësi të pjesëmarrësve në seminarin rajonal “Funksionimi i demokracisë në situata pas-tranzicionale: Sfida dhe perspektiva për Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet në Tiranë, në Universitetin Europian të Tiranës. Ky seminar organizohet nga Programi i Lidership-it KRIIK në Shqipëri në bashkëpunim me Koalicionin për Lidership-in si dhe 9 organizata partnere në vendet e Europës Juglindore. Në të marrin pjesë përfaqësues nga 10 vende të rajonit si dhe nga Shqipëria, vendi organizator. Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë të pranishmëve në këtë takim, presidenti Topi vlerësoi zhvillimin e aktiviteteve të tilla me temë shkencore në nivel rajonal e më gjerë si një mundësi konkrete për specialistët e studiuesit e rinj në fushën e shkencave politike dhe të aktivitetit të shoqërisë civile, për të shkëmbyer mendime, ide dhe përvoja të shteteve që përfaqësojnë, por edhe si një formë bashkëkohore për nxitjen e debateve efikase mbi tematika e çështje politike e shoqërore të ditës që kalojnë vendet tona.