Abortet, ndjekje penale klinikave të palicencuara
Ulja e lindshmërisë në vendin tonë ka sjellë në qendër të vëmendjes edhe një debat mbi arsyet e kësaj situate. Vitet të fundit në vendin tonë shënohet shifra 35 mijë fëmijë të lindur në vit, një tregues i vlerësuar si i ulët. Përdorimi i metodave kontraceptive, por edhe abortet janë lakuar si dy arsye që lidhen me këtë situatë. Dje gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar për Shëndetin Riprodhues, u mor edhe vendimi që të nisë një kontroll i rreptë për abortet në Shqipëri, shumica e të cilave kryhen në klinika private. I pranishëm në këtë aktivitet ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vuri theksin tek abortet që kryhen nga klinikat e palicencuara, duke kërcënuar me ndjekje penale të tyre. Duke ju referuar të dhënave të fundit të specialistëve të shëndetësisë, vihet re një përdorim i ulët i kontraceptivëve nga 8% në vitin 2002 në 11% në vitin 2009 dhe është pikërisht ky tregues, që të bën të mendosh se aborti është alternativë kryesore në rastet kur ndodh një shtatzëni e padëshiruar. “Jemi në momentin e duhur dhe në rrugën e duhur për t’u ofruar grave metodat më të mira bashkëkohore. Kjo gjë do të rritë cilësinë e shëndetit të tyre dhe do t’i shmangë ato nga evenimente stresuese, siç është shtatzënia e padëshiruar, e cila i detyron gratë të kryejnë abort”, u shpreh Vasili. Në mbështetje të kësaj u dhanë edhe detajet se shumë shpejt USAID dhe Ministria e Shëndetësisë do të nisin një fushatë informimi në të gjithë vendin për përdorimin e metodave kontraceptive.