Biznesi shqiptar, bashkëpunim me atë malazez
Një forum biznesi ka ulur në një tryezë të përbashkët në Podgoricë, biznesin shqiptar dhe atë malazez me objektiv sensibilizimin e bizneseve të dy vendeve për të ecur në një rrugë të përbashkët. Turizmi ka qenë një ndër çështjet më të rëndësishme rreth së cilës është diskutuar, duke qenë se dy vendet kërkojnë të zhvillojnë specifikisht këtë sektor. “Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin, duke identifikuar rrugët dhe mundësitë efikase që kanë”, u shpreh Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka. Gjatë fjalës së tij, ai ka renditur një sërë investimesh që do të rrisnin këtë bashkëpunim, duke filluar nga ndërtimi i doganës në Murriqan apo ngritja e parkut industrial të Koplikut. Forumi shërbeu për shpalosjen e projekteve që do të zgjerohen më tej, duke i konkretizuar në të ardhmen.