E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e shqiptarëve në Maqedoni

Ilir Kalemaj

Situata e shqiptarëve në Maqedoni duket se përkeqësohet proporcionalisht me përkeqësimin e pozitës ndërkombëtare të vetë këtij shteti, pas një kontestimi të gjatë të emrit nga Greqia, të gjuhës dhe heronjve nga Bullgaria, të autoqefalisë së kishës ortodokse nga Serbia dhe të një identiteti të mëvetësishëm dhe të pakontestueshëm nga gjithë të mësipërmit përfshirë fqinjin perëndimor, Shqipërinë. Në fakt, kjo e fundit ka qenë ndër partnerët më luajalë në rajon, pavarësisht mungesës së reciprocitetit në jo pak raste. Megjithatë “delja e zezë” apo “tjetri” në shoqërinë maqedonase prej vitesh është paraqitur në formën e shqiptarit. Intrasigjenca ndaj tyre nuk ka ekuivalent as ndaj sjelljes ndaj minoriteteve të tjera në vend, as ndaj protestave emocionale të çastit ndaj fqinjëve. Këtu i ndihmon edhe fakti që shqiptarët, ndonëse statistikisht në gjendje të vendosin në mënyrë përcaktuese për fatet politike të republikës apo zgjedhjeve, si rëndom në kësi rastesh vendosin interesat pragmatiste të çastit përmbi ato përcaktuese për faktorizimin e tyre politik vijëmësor. Provokimet e elitës kulturore dhe kastës politike maqedonase kanë qenë të vazhdueshme dhe me konsistencë logjike që të habit. Rasti i gjykimit pa drejtësi dhe në një proces të montuar politikisht të rastit të “Sopotit”, ku faktet u anashkaluan, projektet megalomane si ai i Shkup 2014, që synon ta çojë më tej marrëzinë e një identiteti maqedonas, bash vitin e 100-vjetorit përkujtimor të fillimit të Luftës së Parë Botërore, që sipas një road map-të propozuar së fundmi parasheh anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në grup në familjen evropiane, pra kthimi i historisë mbrapsht dhe dhënia e një dimensioni fetar, një identiteti kallp dhe inekzistent, apo rasti i përjashtimit të shqiptarëve nga procesi i numërimit të ardhshëm të popullsisë nga zyra statistikore, janë veç disa nga nismat më të fundit që vijnë në dëm të bashkë-ekzistencës normale dhe integrimit të suksesshëm të popullsisë shtet-formuese shqiptare në vend. Vetëm pak kohë më parë, lexuesi mund të sjellë ndërmend zhurmën që shkaktoi pseudo-enciklopedia që i etiketonte shqiptarët si barbarë të zbritur nga malet, që kishin pushtuar zonat e banuara nga sllavë apo segregacionin drejt të cilit i shtynë në disa prej shkollave të vendit, ku klasat filluan të bëheshin me turne, çka të kujtonte komunitetin e afro-amerikanëve në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar. Këto veprime provokuese ndaj atyre që i cilësojnë si ‘kolonë e pestë’ në një kohë ku demografia dikton një logjikë krejt tjetër me rreth 25-30 për qind të popullsisë shqiptare dhe rreth 40 për qind në total minoritete në një shtet që normalisht është multietnik, si dhe sjellja e njëkohshme antagoniste ndaj fqinjëve, duken si dy lëvizje kundra- vendosëse, që nuk mund t’i shërbejnë as rritjes së kohezionit të brendshëm të këtij shteti ende pa emër dhe identitet dhe as fuqizimit në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Natyrisht, veprime të tilla, në pamje të parë kaotike, i shërbejnë forcës politike në pushtet dhe kryesisht Kryeministrit Gruevski, i cili ia ka dalë të fusë në kanale arkaike krizat e vazhdueshme ekonomike, politike dhe mungesat e rezultateve në politikën e jashtme (ku vlen të veçohet mosanëtarësimi në NATO). Por kjo është bumerang për vetë pjesën sllave të popullsisë, që preferon të ushqehet me mite të fabrikuara së fundmi për një të shkuar inekzistente. Në fakt, prej kohësh e kanë humbur me shqiptarët garën ekonomike, duke qenë se këta të fundit u avantazhuan nga faktori kohë në disa prej premisave, që fillimisht i kishin kundër. Për shkak edhe të diskriminimit gjatë periudhës së Federatës Jugosllave, iu lanë pak mundësi në zonat urbane dhe në proceset e edukimit, duke iu rezervuar pozicionin e qytetarëve të dorës së dytë. Kjo u kthye në avantazhin e shqiptarëve, të cilët pasi u konsoliduan në zonat rurale, krijuan edhe një komunitet të fortë në diasporë dhe tashmë, me anë të remitancave të kohëpaskohshme kanë mundur të jenë edhe përfituesit kryesorë të ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë kapitaliste. Natyrisht, këtu i ka ndihmuar edhe faktori demografik (shtimi i popullsisë), ndërsa i ka penguar qartësisht mungesa e kapitalit kulturor, në të cilin kanë një disavantazh të ndjeshëm ndaj pjesës sllave. Kjo, edhe për mungesë të kushteve infrastrukturore dhe diskriminimit të vazhdueshëm që i ka kthyer në të ‘huaj’ në vendin e tyre. Qartësisht lufta politike mes llojit e ka dobësuar shumë përfaqësimin politik të shqiptarëve të këtushëm, njëlloj sikundër edhe në Mal të Zi, apo në Serbinë Jugore, duke bërë që pesha politike të jetë e papërfillshme në krahasim me përqindjen e popullsisë shqiptare në vend. I papërfillshëm gjithashtu, është edhe përfaqësimi në administratë, që mbetet peng edhe i niveleve ende të ulëta të edukimit. Për shembull, një raport i UNDP-së i vitit 2001 është shokues, kur nënvizon faktin që edhe sikur të gjithë shqiptarët me arsim të lartë të punësoheshin menjëherë, “gjendja ekzistuese e punësimit sipas përkatësisë etnike, nuk do ndryshonte dramatikisht.” Përfaqësimi shqiptar do rritej vetëm nga 10.2 në 10.7 për qind (UNDP, 2001a: 39). Kjo gjendje nuk është përmirësuar dukshëm qysh atëherë. Siç e kam theksuar edhe tjetërkund, shembulli turk në Bullgari mund të ishte edhe shembulli më i arrirë për rastin e partive shqiptare në Maqedoni, kur dihet se ato i marrin votat pothuajse ekskluzivisht nga e njëjta popullatë dhe i njëjti territor. Gjithashtu, këmbëngulja në zbatimin me rigorozitet të Marrëveshjes së Ohrit, veçanërisht në kuotat që përcakton për përfaqësimin e shqiptarëve në administratë dhe të drejtat kulturore, sociale, politike e me radhë, ose ndryshe paralajmërimi i një bojkoti masiv institucional, që natyrisht do mund të realizohej me bashkimin e aktorëve politikë për të rritur shkallën e faktorizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›