E Diel, 1 Nëntor 2026

Memaliaj, spitali katër muaj pa autoambulancë, mjekët apel



MEMALIAJ – Mungesa e autoambulancave në spitalin e Memaliajt detyron të sëmurët me probleme akute shëndetësore që të transportohen me mjete private. Kjo situatë ndodh prej 4 muajsh, kohë kur u suprimuan dhe vendet e punës për dy shoferë të makinës për rastet emergjente. Spitali i Memaliajt ndodhet në një nga qendrat e vetme në pjesën verilindore në rrethin e Tepelenës, e cila mbulon njëkohësisht edhe zonat rurale përreth. Në kushte të tilla, e vetmja mënyrë për hallexhinjtë që iu pllakos ndonjë rast urgjence, është marrja e një taksie apo gjetja e mënyrave të tjera me mjete private për të zgjidhur problemin e transportit të të sëmurit në drejtim të spitalit të Tepelenës, Memaliajt apo dhe të Gjirokastrës. Për mjeken patologe në qendrën shëndetësore të Memaliajt Zeno Jakaj, mungesa e autoambulancave ka krijuar probleme të shumta. “Gjatë kësaj kohe kemi pasur tre raste të apendicitit akut që kanë ardhur nga zonat e largëta të Tepelenës. Pacientët janë sjellë në gjendje të rëndë, si pasojë e vonesës në gjetjen e mjeteve në këto zona duke krijuar rrezikshmëri jetike për vetë pacientët”, thotë ajo. Qendra shëndetësore në qytetin e Memaliajt mbulon një numër të konsiderueshëm banorësh, ku përveç 7 mijë banorëve të qytetit, detyrohet të trajtojë edhe pacientë nga fshatrat përreth. Por, me një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë disa muaj më parë u vendo shkurtimi i disa vendeve të punës për shoferët e autoambulancave. Për mjeken Jakaj, heqja e mjeteve të ndihmës së shpejtë, ka qenë krejtësisht e paarsyeshme pasi qendra shëndetësore e Memaliajt, është e rëndësishme për vetë vendndodhjen mjaft afër aksit nacional Memaliaj-Mallakastër-Fier dhe si e tillë rastet e urgjencës nuk kanë munguar. Ajo shprehet se kohën e turnit e përjeton me frikë, pasi ka pasur mjaft raste ku për shkak të mungesës së mjeteve, pacientët kanë rrezikuar jetët e tyre. Në raste të rënda, familjarët kanë çuar të afërmit e tyre me mjete private në spital, e pas mjekimit të parë, i kanë drejtuar po me të njëjtën mënyrë drejt spitalit të Tepelenës apo të Gjirokastrës. Dhe nga ana e tyre, qytetarët që vijnë pranë kësaj qendre, kërkojnë me çdo kusht vendosjen e autoambulancës pasi jo të gjithë janë në gjendje të përballojnë kostot e transportit privat. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›