E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helikopteri i Berishës, avari mbi Pukë



Helikopteri, me të cilin po udhëtonte nga Kosova në Shqipëri të dielën Kryeministri Sali Berisha, ka pasur një avari ndërsa ndodhej duke lëvizur në kthim mbi zonën e Pukës. Ngjarja ka ndodhur të dielën që shkoi, në kohën kur Kryeministri i Shqipërisë ishte duke u kthyer nga Kosova, ku kishte marrë pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për autostradën Verimë-Merdare. Ndërsa ishte ngritur pa probleme nga Kosova dhe po fluturonte në drejtim të Shqipërisë, helikopteri në të cilin ndodhej Kryeministri, i markës Agusta 109 C, ka dhënë shenjat e alarmit kur ndodhej mbi Pukë. Për rrjedhojë, pilotët janë vënë menjëherë në gatishmëri për të kryer uljen emergjente në zonën më të afërt të mundshme, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme. Sistemi i sinjalizimit kishte treguar një avari në motorrin e helikopterit, megjithatë pilotët e kanë drejtuar mjetin fluturues në drejtim të aerodromit të Gjadrit në Lezhë.
Defekti në motor
Pas disa minutave në “fluturim problematik”, helikopteri ka mbërritur mbi zonën e Lezhës dhe më pas ka kryer uljen emergjente në aerodromin e Gjadrit. Top Channel bëri të ditur dje se në kohën kur helikopteri po afrohej në Gjadër, trupa shoqëruese e Kryeministrit nga Garda e Republikës ishte nisur nga Tirana për të bërë shoqërimin e kreut të Qeverisë. Efektivat e Gardës kanë mbërritur në Gjadër dhe më pas kanë realizuar lëvizjen e Kryeministrit në Tiranë me anë të eskortës së automjeteve. Ndërkohë në drejtim të Lezhës, në aerodromin e Gjadrit ka mbërritur një makinë me targa të huaja, me specialistët e helikopterëve. Ndërkohë që Kryeministri Berisha udhëtonte me makinë drejt Tiranës, ekspertët kanë hapur motorrin e helikopterit Agusta 109 C dhe kanë nisur ekspertizën e problemit teknik që kishte shkaktuar avarinë. Sipas konkluzioneve paraprake, defekti ishte shkaktuar nga prania e disa grimcave të metalit në transmisionet plastike, që ndodhen mes bobinave të motorrit. Pas kryerjes së verifikimeve mbi helikopterin, ekspertët janë larguar ndërsa mjeti ka qëndruar në Gjadër për më shumë se 24 orë.
Helikopteri
Sipas burimeve të cituara dje nga TCH, në aerodromin e Gjadrit, në zonën ku ishte ulur helikopteri që pësoi avari, ka mbetur një njollë e madhe vaji, e cila ka rrjedhur në momentin e hapjes së motorrit nga specialistët. Ata duket se kanë riparuar në mënyrë provizore defektin e pësuar nga helikopteri dhe menjëherë mjeti është ngritur në fluturim, për t’u drejtuar për në vendqëndrimin e helikopterëve në repartin e Farkës. Sipas burimeve që bënë të ditur ngjarjen, helikopteri ka qenë një mjet fluturimi në dispozicion të ushtrisë. Helikopteri është një nga mjetet e reja fluturuese të blera nga ushtria shqiptare vitet e fundit dhe për këtë shkak ishte vënë në dispozicion të Kryeministrit Berisha në udhëtimin e tij në Kosovë të dielën.

Helikopteri Agusta 109 C

Viti i prodhimit: 1990

Numri i pilotëve: Një

Nr/ndihmëspilotëve: Një

Kabina: Prej xhami

Numri i vendeve: Gjashtë

Kabinë pasagjeri Vip prej lëkure

Modifikimi i fundit: 2007

Sistemi i Kontrollit: I dyfishtë AFCS

Berisha përuroi rrugën me Thaçin e Sejdiun
TIRANE – Fundjavën që kaloi, me ftesë të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë disa orëshe në Prizren. Shefi i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi kishte ftuar Berishën për të qenë i pranishëm në momentin e përurimit të punimeve në autostradën Vërmicë-Merdare. Pasi mbajtën fjalimet e rastit, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryeministri Thaçi, Kryeministri shqiptar Berisha, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, dhe zyrtarë të tjerë, është zhvilluar edhe ceremonia e nisjes së punimeve për rrugën që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, me anë të bashkimit me autostradën Durrës-Kukës. Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri Berisha, homologu i tij Hashim Thaçi dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës kanë aktivizuar shpërthimin e eksplozivit që ka shembur dheun e parë në malin e Vërmicës, ku do të kalojë autostrada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›