E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belle Air, lidhje të rregullt mes Tiranës dhe Prishtinës

Qytetarët mund të udhëtojnë drejt Prishtinës me një linjë të re, e cila ofron kushtet më të mira për ta si komoditet, siguri dhe çmime më të lira. 

Tashmë, udhëtimi nga Tirana drejt Kosovës do të jetë më i shpejtë dhe kjo falë kompanisë ajrore “Belle Air”. Nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Tiranës qytetarët mund të udhëtojnë me kompaninë “Belle Air” për në Prishtinë me dy fluturime në ditë dhe tre herë në javë. Në ceremoninë e organizuar më këtë rast merrnin pjesë drejtues të kompanisë “Belle Air”, drejtues të aeroportit dhe si përfaqësues të bizneseve të ndryshme. “Mundësia për pasagjerët që të gjejnë në TIA një lidhje të rregullt me Prishtinën na bën sërish pjesë të një zhvillimi të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Konteksti rajonal i këtyre zhvillimeve na forcon bindjen se, jemi pjesë e një zhvillimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës. Është tejet emocionuese dhe kuptimplotë për ne të jemi pjesë e kësaj përvoje”, tha Andrea Gebbeken, drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s. Gjatë 2007-ës, “Belle Air” u rendit në krye të kompanive të fluturimit që veprojnë në TIA për numrin e pasagjerëve që fluturojnë përmes këtij aeroporti. Njëzet e katër për qind e 1 107 325 pasagjerëve që udhëtuan nga TIA vitin e kaluar përdorën këtë kompani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›