E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, Pango: Deri në prill kanë hyrë 500 mijë turistë

Ligji për “Turizmin” ka rikthyer debatet mes qeverisë dhe opozitës për shërbimet që u ofrohen qytetarëve shqiptarë dhe shtetasve të huaj në bregdetin shqiptar në këtë sezon veror. 

Ministri Pango, duke mbrojtur ndryshimet deklaroi se, “vetëm deri në prill kanë hyrë në Shqipëri 500 mijë turistë”. Kjo deklaratë shkaktoi ilaritet në sallë nga socialistët, të cilët e cilësuan të pavërtetë një shifër të tillë. Por Pango insistoi, duke u shprehur se këto të dhëna janë tepër të sakta nga institucionet përkatëse. Por deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, kërkoi heqjen e moratoriumit për skafet. “Pse prishen ndërtimet para nisjes së sezonit turistik, mos kjo bëhet për të dërguar shqiptarët drejt Malit të Zi. Zoti ministër, nëse unë e marr një mik dhe dua ta shëtis në bregdetit shqiptar, me ça ta shëtis, me skaf. Hiqeni ligjin për skafet, ajo duhet bërë që në fillim të sezonit turistik”, deklaroi Ndokaj. Por ministri Pango reagoi duke u shprehur se, “ne nuk mund ta ndryshojmë moratoriumin, pasi është në fuqi për tre vjet. Nuk e kemi tagrin që ta vendosim, kemi vendosur tre vjet, mund ta vendosim ta ndryshojmë”. Ndërsa deputeti i PDK-së, Tom Doshi, foli për atë që e cilësoi një Gërdec të dytë, ndërhyrjen e Policisë Ndërtimore në zonën e Velipojës. “Se kush mban përgjegjësi për prishjen e atyre ndërtimeve, kush i ka dërguar ato fadroma, besoj se përgjegjësia bie mbi qeverisë. I kërkoj Kryetares së Kuvendit, si deputete e Shkodrës, të ndërhyjë dhe të bëjë lobingun se është i vetmi plazh që siguron disa të ardhura për vitin në vazhdim. Ju dëgjova për fshatra turistikë, para një muaji janë çuar fadromat dhe janë prishur pesë pallate. Pra, vetë i keni dhënë leje nga KRRTRSH-ja dhe vetë i keni prishur, i keni vënë minat plazhit të Velipojës”, iu drejtua Doshi, ministrit. Ndërsa gjatë diskutimit të këtij ligji nuk kanë munguar përplasjet mes deputetit demokrat Spartak Ngjela dhe ministrit Pango. Avokat Ngjela deklaroi se i vetmi shpëtim për Shqipërinë është ndërtimi sa më parë i rrugës Durrës-Morinë. “Do të jenë 1 milion shqiptarë që vijnë nga kjo rrugë dhe do na e shpëtojnë, por ta dini se nuk është rrugë patriotike, por është ekonomike. Nuk është rrugë patriotike siç kam dëgjuar të flisni, por se të jetë e tillë ata patriotë do të vinë me kalë dhe s’kanë nevojë për rrugë. Por kjo rrugë na shpëton, se keni 2 miliardë dollarë të investuar në bregdet”, deklaroi Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›