E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Abuzim nga këshilltarët e Berishës

Socialistët akuzuan Kryeministrin Sali Berisha se po abuzon me qeverinë e tij, duke abuzuar me fondet publike për 14 këshilltarët e tij. 

BLEDAR HOTI

 Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, akuzoi 14 këshilltarët e kryeministrave se po marrin pjesë në dy-tre borde apo këshilla për të realizuar t’u pasuruar. Braçe theksoi se dikur kryeministri deklaronte se, “ne i treguam shqiptarëve se do të fillojmë të luftojmë korrupsionin nga vetja, nga zyrat tona, duke vendosur këto standarde, duke treguar se nuk mund të përdoren paratë publike për motive personale. Ne arritëm të ulim shpenzimet e administratës”. “Petraq Milo, këshilltar i kryeministrit, kryetar i Bordit të INSIG-ut, pra përveç rrogës 13 milionë lekë si këshilltar, i shtohen 7.5 milionë lekë si kryetar i Bordit të INSIG-ut. Si dhe 7200 euro si kryetar i Bordit të INSIG-ut në Maqedoni. Gjithashtu pastaj për veprimtari jashtë punës së qeverisë i shtohen edhe 39.860 euro të tjera. Pra, gjithsej ky zotëri i merr shtetit 29 milionë lekë gjatë vitit 2007”, deklaroi Braçe. Më pas, ai renditi edhe emrat e tjerë të këshilltarëve, duke i paraqitur konkretisht mbi bazën e deklaratës së pasurive që kishin paraqitur pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive. “Për të vazhduar me më interesantin që është Glori Nusi, këshilltar koordinator i integrimit në NATO, i cili i merr shtetit veç 16 milionë lekë të rrogës, edhe lekë të tjera si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Delvinë dhe pastaj edhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Orikum”, theksoi Braçe. Sipas tij, për 14 këshilltarët e kryeministrit janë harxhuar për vitin 2007, 211 milionë lekë rroga dhe pjesëmarrje nëpër borde që janë të barabarta me 2782.3 pensione qyteti, me 5564.6 pensione fshati. “Në një muaj vetëm për këshilltarët e kryeministrit, për pjesëmarrjen e tyre nëpër borde të ndërmarrjeve të ndryshme: harxhojmë 17 milionë lekë në muaj; harxhojmë 3.5 milionë lekë në një ditë pune; harxhojmë 440 mijë lekë për një orë pune; dhe harxhojmë 7340 lekë për një minutë pune”, deklaroi Braçe. Përballë këtyre akuzave ka ndërhyrë vetëm ministri i Brendshëm, Nishani, duke theksuar se socialistët kanë vepruar më keq gjatë qeverisjes së tyre. “Nuk besoj se është një çudi e madhe të jeshë anëtar i bordit apo këshillave. Ata janë aty për shkak të profesionalizmit që kanë, shkollës që kanë e CV-së së tyre. Por me ato që tha kolegu parafolës ka një ndryshim të madh mes të djeshmes dhe të sotmes. Vërtet një këshilltar ka fituar 6 milionë apo 7 milionë, por dje një zv.ministër socialist ishte anëtar i 15 bordeve dhe fitonte 15 milionë lekë jo vetëm në një vit, por në një muaj”, deklaroi Nishani. Ndërsa Braçe replikoi duke deklaruar se, “unë mendoja se ju nuk duhet të kishit kurajon të reagoni, veçanërisht pas listës së Departamentit Amerikan të Shtetit, e keni vënë Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim, njësoj si Çadi”. “Nuk e kemi mohuar kurrë atë që tha, për asnjë nga zv.ministrat që thatë ju, por sot këshilltarët i keni me nga tre”. Ndërsa Nishani reagoi duke deklaruar se, “kjo nuk është e vërtetë, këshilltarët janë vetëm në një bord dhe jo nga tre. Sa për nivelin e Shqipërisë, shqiptarët e dinë se ne i kemi çuar në NATO dhe se edhe trupa do të çojmë në Çad për të luftuar trupat terroriste bolshevike që janë atje”.

pasurite e Këshilltarëve te Kryeministrit

Pjerin Marku, këshilltar i kryeministrit, 12 milionë lekë të përfituara për vitin 2007

Petraq Milo, këshilltar i kryeministrit, kryetar i Bordit të INSIG-ut, pra përveç rrogës 13 milionë lekë si këshilltar, i shtohen 7.5 milionë lekë si kryetar i Bordit të INSIG-ut. Si dhe 7200 euro si kryetar i Bordit të INSIG-ut në Maqedoni. Gjithashtu pastaj për veprimtari jashtë punës së qeverisë i shtohen edhe 39.860 euro të tjera. Pra, gjithsej ky zotëri i merr shtetit 29 milionë lekë gjatë vitit 2007. Ka blerë toka në bregdet me vlera monetare 189 mijë euro dhe 4.5 milionë lekë. Ka llogari bankare në Francë, ku vetëm për 2007-ën ka përfituar shumën prej 12.100 euro.

Myqerem Tafaj, këshilltar i kryeministrit. Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë, anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor dhe pastaj merr para edhe nga Universiteti i “Hohenhemit”, në Shtutgard të Gjermanisë. Gjithsej ky këshilltar i kryeministrit për përfshirjen edhe në borde i merr vendit 13 milionë lekë për vitin 2007. Ka tre llogari bankare. Një e ka në Gjermani, në Landesbank, ku vetëm nga interesi ka përfituar në 2007-ën rreth 6 mijë euro.

Flamur Kuçi, këshilltar i kryeministrit. Përveç rrogës prej 14 milionë lekësh, i merr vendit si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Entit Kombëtar të Banesave dhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare 15 milionë lekë për vitin 2007.
Ylli Asllani, këshilltar i kryeministrit, veç rrogës prej 15 milionë lekësh për vitin 2007, i merr shtetit si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës Lushnjë – Fshat dhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës së Portit të Sarandës edhe rreth 6 milionë lekë të tjera, duke vajtur për vitin 2007 në 20 milionë lekë. Ka tre depozita bankare si dhe ka investuar para në bono thesari.

Suzana Guxhollin, këshilltare e kryeministrit, përveç rrogës prej 13 milionë lekësh i merr shtetit para edhe si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Posta Sh.A në Shqipëri dhe pastaj i merr edhe si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekomit, pastaj edhe si anëtare e Bordit të Albinvestit. Shuma totale 19 milionë lekë në vitin 2007.

Selami Xhepa, këshilltar i kryeministrit, edhe ky kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekomit, i merr shtetit për vitin 2007, 17 milionë lekë të tjera.

Glori Husi, këshilltar koordinator i integrimit në NATO, i merr shtetit veç 16 milionë lekë të rrogës, edhe lekë të tjera si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Delvinë dhe pastaj edhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Orikum.

Fatbardh Kadilli, këshilltar i kryeministrit, merr 16 milionë lekë jo vetëm nga rroga, por edhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të ARMO-s.

Neritan Sejamini merr 16 milionë lekë të tjera jo vetëm nga rroga, por edhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekomit dhe “Eagle Mobile”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›