Rritet çmimi i naftës nisin abuzimet më cilësinë
Fabiola Çela
Pikat e karburanteve mashtrojnë qytetarët për cilësinë e naftës që ato tregtojnë. Nga një kontroll i kryer ditët e fundit në qytetet kryesore të vendit ka rezultuar se pjesa më e madhe e pikave të karburanteve abuzojnë me cilësinë e naftës që i shesin klientëve. Nafta që tregtohet për “Eurodiesel” është vetëm naftë e cilësisë “D2”, me përmbajtje të lartë squfuri. Në një situatë të tillë Inspektoriati Qendror Teknik ka gjobitur 14 subjekte, ku vlera më e lartë e gjobës ka qenë 500 mijë lekë.
Kontrolli
Inspektoriati Qendror Teknik po kalon në sitë të gjitha pikat e karburanteve në vend. Ilir Kurti kryetar i inspektoratit është shprehur se, muajt e fundit me rritjen e çmimeve të karburanteve është rritur edhe tendenca e tregtarëve për të abuzuar më cilësinë e karburanteve. “Këtë viti është rritur ndjeshëm presioni i tregtarëve për të abuzuar me cilësinë e karburanteve. Nëse vitin e kaluar ne kemi pasur 3 për qind të tregut që abuzonte, në maj ky abuzim ka arritur në 5 për qind të tregut”, ka thënë Kurti. Ndaj abuzuesve inspektorati ka vendosur penalitete. “Në kushtet e falsifikimit të cilësisë së naftës në treg, për të mbrojtur konsumatorët dhe me qëllim që këto abuzime të mos përsëriten, ne vendosëm penalitete”, është shprehur ai. Inspektoriati do të vazhdojë edhe në ditët në vijim kontrollet në të gjithë vendin për cilësinë e karburanteve, ku numërohen rreth 900 pika të tregtimit me pakicë.
Cilësia
Nuk është hera e parë që shoqëritë e tregtimit të karburanteve abuzojnë me cilësinë e naftës që ato tregtojnë. Edhe rreth një vit më parë kur çmimi i naftës pësoi rritje Inspektoriati ushtroi kontroll në disa pika karburanti, ku disa prej tyre rezultuan, që naftën “D2” e tregtonin si naftë të cilësisë “D1”. Nafta “Eurodiesel” ose në gjuhën teknike “D1” apo “EN 511”, që është naftë e cilësisë më të lartë, shpeshherë në pikat e karburanteve zëvendësohet me naftën “D2”. Konkretisht, “D2” kjo cilësi nafte, ku bën pjesë edhe nafta që prodhohet në vendin tonë, ka përmbajtje më të lartë squfuri, por ka një çmim më lirë. Vendet e BE-së nuk e përdorin këtë cilësi nafte për automjetet e vogla. Nafta “D1” apo “Eurodiesel” ka një cilësi më të mirë dhe përmbajtje squfuri nën 350 miligram për një litër naftë. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kjo cilësi nafte ruan makinën, si dhe nuk dëmton ambientin dhe shëndetin e njeriut.
Çmimi i karburanteve
162 lekë/litri
çmimi i naftës D1
159 lekë/litri
çmimi i naftës D2
160 lekë/litri
çmimi i benzinës
Çmimi i naftës më i lartë se benzina
Çmimi i karburanteve gjatë dy javëve të fundit ka pësuar një rritje prej më shumë se 10 lekë për litër. Çmimi i naftës ka kaluar edhe çmimin e benzinës, ndërkohë që parashikohen rritje të ardhshme çmimesh. Importuesit e karburanteve shprehen se, në tregun e brendshëm po reflektohen çmimet e tregut ndërkombëtar dhe se ata po mbajnë marzhe tepër të ulëta fitimi.