E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media e pa mëshirë, por Maradonën e do skuadra



Goditja ishte shumë e rëndë dhe shumë e vështirë për t’u kapërdirë. Megjithatë, në Argjentinë ka një kontraditë sa i përket së ardhmes së Maradonës në krye të paniknës së skuadrës bardhekaltër. Media është treguar e pashpirt ndaj teknikut, duke e cilësuar atë dhe Mesin si shkaktarët kryesorë të kësaj humbjeje. “Një grusht në fytyrë, këtë na dha Maradona dhe Mesi”, shkruante e përditshmja “La Nacion”. “Ai gaboi gjithçka, gaboi me përzgjedhjen, me ndërrimet, me lëvizjet taktike. Na turpëroi të gjithëve”, shkruante gazeta tjetër, “Ole”. Megjithatë, Maradona duket se ka mbështetjen unanime të skuadrës. Pavarësisht qejfmbetjes së Veronit, lojtarët e duan ende trajnerin e tyre dhe kjo mund të ndikojë që ish-ylli i futbollit argjentinas të vazhdojë të drejtojë këtë ekip edhe në të ardhmen.
Lotët
Ndërkohë një atmosferë shumë e zymtë karakterizonte dje qytetet më të mëdha të Argjentinës. Në rrugët e Buenos Airesit ka qenë një dramë e vërtetë, me njerëz që qanin dhe nuk u besonin syve për kombëtaren e tyre. Pas çdo goli gjerman, dëshpërimi i tifozëve ka ardhur duke u rritur, ndërsa ëndrra e secilit prej tyre është thyer në mes. Argjentina kishte treguar një futboll spektakolar në 4 ndeshjet e para dhe për shumë tifozë në Argjentinë kishte ardhur momenti që ajo të fitonte Kupën e Botës. “Më vjen që të lë futbollin që sot”, thotë Maskerano në linjë telefonike. “Për fat të keq nuk mund të gjejmë asnjë shpjegim për dhimbjen që ndjejmë në këto momente”, ishte komenti i Hajnzes, ndërsa mundohej të fshinte lotët nga fytyra. Ndërkohë që telekamerat fokusonin përqafimin e Maradonës me të atin në tunelin e stadiumit, televizionet dhe gazetat argjentinase kanë nisur procesin, ndërsa tifozët në rrugë kanë qenë më të dëshpëruar se kurrë. Maradona nuk mundi ta bënte dot realitet ëndrrën për fitimin e Botërorit, ndërsa ai vetë ishte një nga personat më të kritikuar pas humbjes me Gjermaninë. Në rastin e tij, tifozët dhe politikanët kanë qenë të ndarë, ndërsa mediat kanë qenë ato që e kanë fajësuar totalisht për disfatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›