E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klose: Për ne s’ka asnjë ekip të pathyeshëm



Miroslav Klose, sulmuesi i Kombëtares së Gjermanisë, i cili të mërkurën do të ketë përballë Spanjën, është gati të marrë hak së bashku me shokët e tij për disfatën në finalen e Evropianit në vitin 2008. Gjermania dhe Spanja, dy nga gjysmëfinalistet e këtij Botërori janë gati për t’u përballur me njëra-tjetrën për të siguruar biletën e finales, në një ndeshje që pritet të dhurojë shumë emocione dhe surpriza. Këtë fakt e konfirmon Miroslav Klose, i cili për më shumë nuk ka vonuar të nxehë atmosferën e këtij takimi, pas kualifikimit të mrekullueshëm me Argjentinën. Autori i dy golave në ndeshjen e të shtunës pasdite kundër ekipit të Diego Armando Maradonës është më i frymëzuar se kurrë dhe ka bindjen se ky Botëror do të jetë një sukses për Gjermaninë dhe për të. “Spanja do të jetë një kundërshtar më i fortë se ne në këtë gjysmëfinale. Skuadra e Visente Del Boskes është shumë herë më e fortë se dy rivalet tona, Anglia dhe Argjentinë, në këtë sfidë me eliminim direkt, - deklaron sulmuesi i Gjermanisë. – David Vila me shokë janë një ekip fantastik, i shkëlqyer, i cili natyrisht që do të na hapë shumë punë në këtë gjysmëfinale. Gjithsesi, ashtu siç kemi treguar deri tani, jo vetëm Spanja, por asnjë kombëtare tjetër në botë nuk mund të jetë e pathyeshme përpara nesh. Kemi parë ndeshjen e tyre kundër Paraguait, por nuk mendoj se ajo në ato 90 minuta është Spanja e vërtetë. Forca e rivalëve tanë është e përgjithshme, pasi një skuadër me lojtarë si Pujol, Iniesta dhe David Vila nuk njeh asnjë defekt në asnjë repart. Për këtë arsye, këto fakte e bëjnë shumë impenjative ndeshjen tonë. Në këto orë që na ngelen përpara ndeshjes do të bëjmë të pamundurën për të njohur në detaje kundërshtarin tonë, në mënyrë që të plotësojmë një hakmarrje kundër tyre që e presim nga finalja e Evropianit e vitit 2008. Por tani nuk është ora për deklarata bombastike apo për presion kundrejt rivalëve. Spanja e di më mirë se kushdo tjetër që përballë nesh do i duhet të bëjë ndeshjen e saj perfekte nëse kërkon të na mundë. Në këtë Botëror po tregojmë se jemi skuadra më e mirë për momentin, por edhe spanjollët nuk mbeten prapa. Kemi ardhur deri këtu me meritë dhe pa lënë vend për dyshime. Por tani fillon faza më e nxehtë e këtij Botërori, duke kujtuar që jemi vetëm dy ndeshje larg mundësisë për të ngritur në qiell të katërtën Kupë Bote. Një sfidë me Vilën dhe Ronaldon? David Vila është një ndër sulmuesit më të fortë në qarkullim dhe të përballem me të do të jetë një nder për mua, diçka që do të më stimulojë edhe më shumë, duke parë që që të dy jemi pretendentë për “Këpucën e Artë” të këtij Botërori në Afrikën e Jugut”, ka deklaruar sulmuesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›