Melon e pështyjnë, Dungën e duartrokasin
Populli brazilian nuk ia ka falur aspak mesfushorit Felipe Melo gabimet që bëri në ndeshjen kundër Holandës. Dje ai është pritur gjatë kthimit në atdhe mes fyerjesh dhe kërcënimesh. Madje, një tifoz është shoqëruar në polici pasi e ka pështyrë mesfushorin që aktivizohet te Juventusi. Ky i fundit, nuk ka ngurruar t’i kthejë kusurin duke e quajtur ultrasin bir k...Surprizë ishte pritja që i bënë trajnerit të tyre Karlos Dunga në aeroportin e Porto Alegres. Pjesa dërrmuese e tifozëve e kanë duartrokitur trajnerin e tyre, duke i thënë se kishte bërë një punë të mirë. Kjo ishte një gjë që edhe vetë Dunga nuk e priste, pasi menjëherë pas eliminimit nga Holanda, trajneri mori kritika të ashpra nga media. “Falënderoj tifozët për pritjen që më bënë, por kjo nuk ma heq pikëllimin që kam prej eliminimit. Gjithsesi, tani nuk dua të flas më për këtë gjë, tani dua thjesht të çlodhem”, ka thënë prerazi Karlos Dunga. Me shumë mundësi gjatë javëve të ardhshme ai do të zëvendësohet nga Skolari, ose Leonardo. Portieri i Interit dhe i Kombëtares braziliane, Hulio Sezar nuk i ka mbajtur dot lotët edhe kur është kthyer në atdhe. Sapo ka zbritur nga avioni ai është pritur me ovacione nga tifozët, të cilët e kanë përgëzuar për punën që kishte bërë dhe për atë çka dha në këtë Botëror, por mbrojtësi ekstrem është mallëngjyer më shumë se sa duhet. “Më vjen keq që i zhgënjyem këta njerëz të mrekullueshëm. Me gjithë këtë mbështetje, më bëjnë të ndihem akoma më shumë përgjegjës për eliminimin. E kam të vështirë të mos e përjetoj keq”, është shprehur Sezar i përlotur para medias.