Abramoviç dëshiron Torres, ofertë 50 milionë euro
Fernando Torres është shndërruar në idhullin e ri të futbollit anglez. Sulmuesi spanjoll brohoritet nga tifozët e Liverpulit dhe ëndërrohet nga mbështetësit e skuadrave të tjera të mëdha në Premiership. Një prej tifozëve të tij më të zjarrtë duket se është Roman Abramoviç: padroni i Çelsit ka ofruar 50 milionë euro për lojtarin, që në sezonin e parë me "Reds" ka realizuar 32 gola, 23 prej të cilëve në kampionat. Sipas të përditshmes spanjolle, "Marca", manjati rus beson se "Ninjo" është sulmuesi perfekt për të zëvendësuar Shevçenkon dhe Drogbanë në radhët e bluve. Megjithatë, oferta stratosferike prej 50 milionë eurosh është refuzuar nga drejtuesit e Liverpulit. Edhe pse me këtë transferim, skuadra e drejtuar nga Rafa Benitez do të fitonte 14 milionë euro brenda një sezoni (Fernando Torres u ble 36 milionë euro vitin e kaluar nga Atletiko Madrid), sulmuesi cilësohet i pashitshëm. Por, për Abramoviç refuzimi duket vetëm një test durimi, pasi ai pritet që ta rrisë ofertën.