E Shtunë, 31 Tetor 2026

Absolut Klitschko

Wladimir Klitschko spastroi kategorinë e rëndë të boksit pasi fitoi edhe titullin në versionin WBA duke mposhtur britanikun David Haye, me vendim unanim të gjyqtarëve, pas 12 raundeve. Ukrainasi mban edhe brezat në versionet IBF, WBO dhe IBO, ndërsa vëllai i tij, Vitali është kampion në WBC. Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 08:44

Wladimir Klitschko mbrojti tre titujt e tij të kampionit të botës në kategorinë e rëndë, ndërsa shtoi një brez tjetër të mbajtur nga David Haye, pas fitores së tij me pikë ndaj britanikut pas 12 raundeve, të shtunën mbrëma në Hamburg. Klitschko mbajti titujt e tij në versionet IBF,WBO dhe IBO, ndërsa e mori edhe atë të WBA-së nga Haye, i cili nuk përmbushi parashikimet që kishte dhënë para meçit. Gjyqtarët e vlerësuan përballjen 118-108, 117-109 dhe 116-110 për fitoren e 14-të rresht të Klitschkos.

Ata ishte pritur të ndeshen dy vjet më parë, por një lëndim i Hayet e anuloi meçin. Por, Haye dhe Klitschko u takuan të shtunën mbrëma, pavarësisht shiut të madh që kishte rënë në Imtech Arena, stadium i hapur ku u zhvillua meçi. Me rezultatin përfundimtar, vëllezërit Klitschko, Wladimir dhe Vitali, mbajnë të gjithë titujt e kategorisë së rëndë. Vitali është kampion në versionin WBC.

Ata janë zotuar se kurrë nuk do të ndeshen mes vete. 35-vjeçari Klitschko (56 fitore, 3 humbje, 49 me nokaut) bëri mbrojtjen e 10-të të brezave IBF dhe IBO, të cilët i fitoi pas ndërprerjes në raundin e shtatë kundër Chris Byrdit në prill 2006. 30-vjeçari Haye (25 fitore, 2 humbje, 23 me nokaut) kishte fituar titullin në versionin WBO 20 muaj më parë, duke e mposhtur me vendim unanim gjigantin rus, Nikolai Valuev. Pavarësisht fitores së bindshme me pikë, Klitschko nuk ishte i kënaqur.

“Desha të dëshmoj se mund ta nokautoj David Hayen”, tha Klitschko. “Ende nuk mund të pranoj sjelljen e tij para meçit. Është vërtet e turpshme për tifozët e boksit dhe të sportit në përgjithësi mënyra si është sjellë ai. Mendoj se ndeshja është tregim në vete”, shtoi ukrainasi. Haye dështoi të sjellë nokautin, të cilin e kishte premtuar dhe e shkundi Klitschkon vetëm në raundin e tretë dhe të 12-in.

“Ai kombinoi disa goditje, por në asnjë moment nuk isha i lënduar”, u shpreh Klitschko. Haye njoftoi se kishte pësuar frakturë në gishtin e vogël të këmbës së djathtë dhe kjo e kishte penguar në përgatitje dhe gjatë meçit. “Kam dhënë gjithçka që kisha, por e dija se nuk jam në formën time më të mirë. Nuk mund të shkelja mirë në këmbën e djathtë për shkak të frakturës në gisht. Më vjen keq që nuk munda të tregoj atë që desha. Humbja nuk ishte opsion për mua para përballjes”, tha Haye, i cili ishte zotuar se do të pensionohet më 13 tetor – ditëlindja e tij e 31-të – por theksoi se do të konsiderojë opsionet e tij dhe “do të doja” revansh me Klitschkon.

“Nuk do të marr vendime ende. Ai ka thënë se do të më nokautojë dhe nuk mundi, andaj do të doja të kemi revansh”, deklaroi Haye.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›